Drejtësia

Prokuroria e Elbasanit shpall moskompetencën, dosja për grupin kriminal të Laert Haxhiut do hetohet nga SPAK

Gazeta Si – Grupi kriminal i Laert Haxhiut, i cili akuzohet për 6 vrasje , 4 në Shqipëri dhe 2 në Greqi, do të hetohet nga Prokuroria e Posaçme në Tiranë.

Prokuroria e Elbasanit ka shpallur moskompetencën për grupin e Haxhiut dhe çështjen ia ka kaluar SPAK-un për hetim.

Në 4 tetor të këtij viti, drejtuesi i Prokurorisë së Elbasanit, Kreshnik Ajazi, shkoi në ambientet e SPAK për të zhvilluar një takim me prokurorët e SPAK dhe hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).

LEXO EDHE:
– 6 vrasjet (2 në Greqi) që zbuloi bashkëpunëtori i drejtësisë Artan Tafani për llogari të grupit të Laert Haxhiut
– Video / Si u arrestua Artan Tafani në një hotel, i penduari që shkatërroi grupin e Laert Haxhiut

Një takim që i parapriu vendimit që dosja t’i kalojë për më shumë kompetenca SPAK-ut.

Një pjesë e anëtarëve të grupit, u godit gjatë operacionit “Kurrë mos harro” pas dëshmisë së Artan Tafanit.

Ky i fundit, anëtar i bandës, u bë bashkëpunëtor i drejtësisë dhe rrëfeu para prokurorëve disa prej krimeve gjatë viteve 2021-2023.

Nga dëshmia e Tafanit u zbardhën 6 vrasje si dhe krime të tjera, por që një pjesë tjetër janë ende në proces verifikimi dhe hetimi.

Por ajo që tronditi më shumë ishte planifikimi i Haxhiut për të vrarë persona të drejtësisë. Në mesin e tyre ishte prokurorja e SPAK, Doloreza Musabelliu, dhe ajo e Lushnjës, Merita Selimi, për të cilat me urgjencë të madhe u mor vendimi për mbrojtjen e tyre.

Në muajin korrik Haxhiut iu provua edhe autorësia e një tjetër vrasje, ajo e Besnik Hidës, i afërm i Zamir Latifit, njërit prej viktimave të masakrës së Lushnjës në 2017-ën.

Për këtë të fundit Haxhiu, i cili ndodhet në paraburgim në Greqi, po gjykohet në Gjykatën e Posaçme, ndërsa me burgim të përjetshëm janë dënuar më herët bashkëpunëtorët Anterio Kaloshi dhe Orgest Bilbili.

Ai u kap në Janinë, ndërsa shërbimet e policisë së shtetit helen i gjetën leje qëndrimi greke të falsifikuar, me emrin Mikis Askalidis 32 vjeç, lindur në Gjeorgji.

Tre ditë më parë, Greqia vendosi që i shumëkërkuari i drejtësisë shqiptare do të ekstradohet në vendin tonë.

Gjykata Apelit në shtetin fqinj vendosi të mërkurën ekstradimin e 31-vjeçarit nga Lushnja, duke rrëzuar një vendim të dhënë dy muaj më parë nga Gjykata e Shkallës së Parë në Janinë.

Megjithatë, firmën e fundit për ekstradimin e tij në Shqipëri e ka ministri i Drejtësisë greke.

Grupi kriminal

1-Artan (Marjus) Tafani, 39 vjeç

2-Lulzim Spahija (Arapi), 28 vjeç

3-Ligor Romaçka, 31 vjeç

4-Erisiano Abedini, 32 vjeç

5-Bledar Berberi, 34 vjeç

6-Maringlen Topuzi, 37 vjeç

7-Bujar Abedini, 49 vjeç

8-Enriko Xhahysa, 23 vjeç

9-Klea Gjata, 27 vjeçe,

10-Idriz Manej, 68 vjeç

11-Fatjon Veliu, 36 vjeç


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë