Interviste

Një prokuror mund të zëvendësoj Donald Lu

Në kohën kur të gjithë prisnin që të dilte në pension, John Leonardo u rikthye më fuqishëm se kurrë, duke u shndërruar në një nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të qeverisë amerikane në Shqipëri. Tanimë, pas largimit të Donald Lu, prokurori i shquar është një emrat më të përfolur për tu caktuar si Ambasadori i ri i Amerikan në Tiranë.

John Leonardo

Leonardo shërbeu 19 vjet si gjykatës i Gjykatës së Lartë në qarkun Pima dhe më pas në vitin 2012 u emërua Prokuror i Arizonës, duke punuar si prokuror i lartë federal i shtetit amerikan për pothuajse pesë vjet. Me ndryshimin e presidentëve vitin e kaluar, ai e la punën për tu fokusuar tek e ardhmja e një vendi të vogël, shumë larg shtëpisë.

Në vend që të kalojë ditën në një fushë golfi apo të mallkojë politikanët para televizorit, 71 vjeçari, e gjen veten duke u enduar nëpër në zyrat shqiptare, së bashku me një ekip juristësh nga Bashkimi Evropian. Leonardo është i vetmi amerikan mes tetë këshilltarëve ndërkombëtarë që kanë ndërmarrë një përpjekje të pashembullt për të çliruar vendin nga prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar.

Kjo është një çështje e një rëndësie të jashtëzakonshme për Shqipërinë dhe për vendet e tjera të Ballkanit që mund të ndjekin shembullin e Tiranës. BE-ja është duke i kërkuar Shqipërisë të përfundojë reformën e Vetingut për 800 gjykatësit dhe prokurorët e saj dhe të shkarkojë të gjithë gjykatësit e korruptuar ose jokompetentë si kusht për anëtarësimin në unionin evropian. BE-ja po paguan 10 milionë euro për të financuar projektin.

"Është hera e parë që provojmë diçka të tillë- tha Leonardo- Shqiptarët presin shmë nga ne. Ndërkohë, gjyqtarët dhe prokurorët kanë frikë mos humbasin vendet e tyre të punës".

Disa javë më parë, Leonado ka dhënë një intervistë shumë interesante për “Tucson.com”, duke theksuar jo vetëm problemet më të mëdha me të cilat përballet Shqipëria, por edhe mbështetjen amerikane për këtë proces.

Cili është problemi më i madh që ka trashëguar sistemi i drejtësisë në Shqipëri? Si po përpiqeni të adresoni?

Shqipëria nuk ka korrupsion të shfrenuar vetëm në drejtësi por edhe në shumë fusha: Policia, gjyqtarët, prokurorët. I gjithë Ballkani në përgjithësi vuan nga ky problem. Pothuajse të gjitha vendet që ndodheshin pas Perdes së Hekurt në shekullin e 20-të, duket se kanë këtë problem.

Si duhet të funksionojë Vetingu?

Shqiptarët ndryshuan kushtetutën e tyre vitin e kaluar në mënyrë që të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët në vend t'i nënshtrohen një procesi verifikimi për të mbajtur vendet e tyre të punës. Ligji i ri krijoi një komision verifikimi, i përbërë nga 12 avokatë shqiptarë të zgjedhur nga Parlamenti Shqiptar, të cilët do të ulen në panele gjyqësore për hetimin dhe dëgjimin e provave për secilin prej këtyre gjyqtarëve dhe prokurorëve, lidhur me tri fusha: pasuritë e pashpjegueshme, lidhjet me kriminelët e njohur dhe aftësitë profesionale.

Cili është roli juaj si një vëzhgues ndërkombëtar?

Në fakt ne jemi tetë vëzhgues ndërkombëtarë. Të gjithë ne kemi të paktën 15 vjet përvojë si gjyqtarë apo prokurorë në vendet tona. Është një grup mjaft me përvojë, madje shumë prej tyre kanë punuar më parë edhe në vendet e tjera të ngjashme me Shqipërinë. Ne duhet t’i japim këshilla organeve të verifikimit për çështjet ligjore dhe teknikat hetimore, strukturat organizative dhe interpretimet e ligjit të vetingut Më pas ne ulemi me ta kur diskutojnë hetimet e gjykatësve apo prokurorëve të caktuar.

Nga janë këshilltarët e tjerë ndërkombëtarë?

Dy janë nga Holanda, një nga Italia, Belgjika, Kroacia, Suedia dhe Bullgaria.

Si po mundohesh ta tejkalosh barrierën gjuhësore, pasi ju nuk flisni shqip?

 Kemi një staf të shkëlqyer përkthyesish. Gjuha zyrtare e procesit është shqipja dhe anglishtja. Për fatin tim të mirë, unë jam i vetmi, nga tetë vëzhguesit ndërkombëtarë, që po punoj në gjuhë amtare. Kështu që në një farë mënyre më ka takuar të jem arbitri përfundimtar i asaj që është korrekte në gjuhën angleze dhe të rishikoj dokumentet zyrtare para se të aprovohen.

A ju ka mbetur edhe shumë punë për të bërë?

Hetimet e para të vetingut filluan në fund të shkurtit. Supozojmë se ky proces do të zgjasë katër deri në pesë vjet. Është e vështirë të imagjinohet se si do të jetë kur të fillojnë seancat e njëpasnjëshme dëgjimore. Dhoma e seancave janë shumë të vogla, mund të mbajnë gjashtë ose shtatë persona

Çfarë lloj problemesh keni hasur deri më deri më tani?

Në përgjithësi, po shohim se nën hetim janë vënë gjyqtarët që marrin ryshfete për të pastruar të pandehurit nga të gjitha akuzat, gjyqtarë që paguhen për të qenë të njëanshëm në çështjet civile, gjyqtarë që lirojnë të pandehurit që kërkohen për ekstradim dhe gjyqtarë që kanë pasuri pesë ose gjashtë herë më e madhe se sa shuma se ato që fitojnë. Në 10 vitet e fundit, gjykatësit shqiptarë kanë bërë lart e poshtë deklarata mbi pasuritë që zotërojnë, por kemi vënë rë se ata pretendojnë të jetojnë në apartamente modeste, ndërkohë që jetojnë në shtëpi shumë më luksoze.

Si ju kanë pritur në Shqipëri?

Është e jashtëzakonshme të shohësh se shqiptarët presin kaq shumë nga Amerika. Sapo kam filluar punë, kam nuhatur se avokatët e vetingut dhe komuniteti ligjor kanë më shumë besim tek unë, sesa europianët perëndimorë.

A ju kanë mbështetur?

Ambasadori amerikan në Shqipëri ka qenë një përkrahës i madh i këtij procesi. Shqiptarët kanë shumë lidhje me ne dhe besojnë tek ne. Në një drekë zyrtare, ambasadori Donald Lu u tha gjyqtarëve se nëse ora e tyre kushtonte me shtrenjtë se makina e tij, atëherë ata ishin të gjithë të korruptuar dhe se me siguri nuk do të ishin vërdallë vitin e ardhshëm./ Tucson.com/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë