Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar idiot ndërkombëtar prokurorin e Hagës, i cili në fjalën e tij në seancën gjyqësore, tha se ndërkombëtarët nuk e kishin kuptuar se Hashim Thaçi kishte maskuar realitetin, lidhur me luftën në Kosovë.
Rama ka ndarë pamje në rrjetet sociale, ku tregohet deklarata e bërë nga prokurori.
“Ajo që nuk kuptojnë James Rubin, Wesler Clark dhe ndërkombëtarë të tjerë, është që Thaçi ishte i aftë të maskonte atë që po ndodhte në realitet, dhe kjo ndikoi në botëkuptimin e tyre për të kuptuar vërtet sesi funksiononte UÇK. Veçanërisht Rubin dhe Clark treguan që nuk kishin interes për të kuptuar se çfarë po ndodhte në realitet, dhe besonin se puna e tyre ishte në anën e duhur të historisë. Nuk u përballen me atë që po dëgjon tashmë ky trup gjykues dhe për të cilat do të marrë vendimet përkatëse.
Vendimet e tyre në fakt nuk ishin as me standardet ligjore ndërkombëtare, sa i takon kontrollit efektiv. Kryekomandanti i identifikuar i UÇK, mund të mos ketë qenë në gjendje të ushtronte komandon sikurse ushtritë e SHBA dhe NATO-s, por as nuk kishte nevojë ta bënte këtë gjë. Paragrafi 613 i dosjes sonë, flet për shumëllojshërinë e hierarkive, të cilat janë të mjaftueshme për të konstatuar përgjegjësinë eprore sipas të drejtës kombëtare humanitare”,thuhej në deklaratën e prokurorit të Hagës.
Rama reagoi edhe dje në 9 shkurt për gjyqin në Hagë të ish-krerëve të UÇK-së, pasi Prokuroria e Hagës kërkoi 45 vite burg për secilin prej tyre.
Ai tha se nuk kuptonte fillin logjik të asaj që thoshte Prokuroria në Hagë në lidhje me ish-komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



