Gazeta Si - Një tjetër mbrëmje plot emocione e adrenalinë pritet të ofrojë sot Kombëtarja shqiptare e futbollit, që luan një nga ndeshjet e saj më të rëndësishme. Kuqezinjtë presin Çekinë në ‘Air Albania’, në një 90-minuësh që mund të na sigurojë pjesëmarrjen e dytë në Europian.
Jo vetëm 22 mijë tifozë që do të jenë fizikisht në stadium, por edhe qindra mijëra të tjerë do të jenë me zemër në ‘Air Albania’ sot, me shpresën për të festuar pas vërshëllimës përfundimtare të holandezi Dani Makeli.
LEXO EDHE:
- Broja nuk ia del, Silvinjo: Me Çekinë mund të ndodhë gjithçka, vendimtar është nëntori
- Seanca e fundit e kuqezinjve, Gjasula dhe Bare i bashkohen grupit
- Kapiteni Gjimshiti: Pres të njëjtën ndeshje si në Pragë, euforia është vetëm nga jashtë
- Kapiteni i Çekisë, Souçek: Në Tiranë për fitore! Trajneri Shihlavi vlerëson sulmin kuqezi
Djemtë e drejtuar nga trajneri Silvinjo kanë bërë thuajse gjithçka mirë deri tani. Me përjashtim të ndeshjes së parë me Poloninë në Varshavë, makineria e brazilianit ka funksionuar në mënyrë perfekte. Shqipëria kryeson Grupin E, me 10 pikë, e ndjekur nga Çekia, rivali i sotëm, që ka 8 pikë dhe një ndeshje më pak.
Një fitore do të thotë Gjermani 2024, duke ditur që më pas luajmë me Moldavinë jashtë dhe me Ishujt Faroe në ‘Air Albania’. Por edhe barazimi vlen, sepse bën që çekët të mbeten prapa nesh me pikë dhe më pas kanë edhe një përplasje direkt me Poloninë. Entuziazmi nga jashtë është shumë i madh, Kombëtarja me rezultat dhe lojën e saj ka rritur ndjeshëm pritshmëritë.
Tifozët presin një tjetër mbrëmje si ajo me Poloninë, ku kuqezinjtë fituan 2-0 mes spektaklit. Megjithatë, do të mjaftonte edhe një gjysmë goli, siç thuhet në gjuhën e futbollit, për të shpërthyer festën. Brenda skuadrës, ashtu siç pohuan trajneri Silvinjo dhe kapiteni Gjimshiti, janë të ndërgjegjshëm për rëndësinë dhe vështirësinë e ndeshjes, ndaj dhe kanë marrë masat.
Prova e parë për tifozët
Ndeshja e sotme është edhe prova e parë për tifozët, për të cilët FSHF ka marrë një dënim dhe ai do të ekzekutohet nëse përsëriten sjellje si ajo me Poloninë, ku u hodhën sende në fushë. Nëse tifozët kuqezi nuk përmbahen as sot, atëherë një pjesë e tribunave do të mbyllet për ndeshjet në vazhdim. Është rasti më i mirë që fansat kuqezi të përkrahin pa incidente lojtarët në fushë, që ata të marrin më të mirën nga vetja.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.