Politike

Projektligji, noterët në dorë të Ulsi Manjës

Kur njoftoi propozimet për ndryshimin e ligjit për noterinë, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja tha se strukturat që do të “pastronte” noterinë nga personat me lidhje të papërshtatshme dhe që janë pjesë e listës së legjislacionit në fuqi kundër financimit të terrorizmit dhe pastrimit të parave është Ministria e Drejtësisë.

Me zbardhjen e projektligjit të gjithë noterët aktualë janë në dorë të drejtpërdrejtë të ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja.

“Brenda një jave nga njoftimi i listës përfundimtare të të interesuarve që kanë kaluar me sukses provimin e pranimit në formimin fillestar, ministri i Drejtësisë kërkon të dhëna, dokumente, fakte apo mjete të tjera të provës nga Policia e Shtetit, prokuroria, gjykata, organet e administratës tatimore dhe doganore, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, Byroja Kombëtare e Hetimit, shërbimet shtetërore informative, Dhoma Kombëtare e Noterisë, çdo organ disiplinor që ka mbikëqyrur disiplinën në marrëdhëniet e punës së subjektit të verifikimit, si dhe çdo organ publik, person fizik ose juridik që disponon të dhëna të vlefshme për qëllimet e verifikimit. Nëse është e nevojshme, ministri i Drejtësisë kërkon të dhëna shtesë nga institucionet e përmendura në këtë pikë”, thuhet në propozim.

Propozimi detyron institucione të pavarura si Policia e Shtetit, Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave, BKH-në, SHISh dhe çdo organ tjetër që t’i japë informacionin e kërkuar në rastin e noterëve ministrit të Drejtësisë.

“Çdo institucion publik, subjekt, fizik ose juridik, është i detyruar të paraqesë të dhënat, dokumentet, faktet apo mjete të tjera të provës, që i ka në administrim, sipas kërkesës së ministrit të Drejtësisë, jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë nga data e marrjes së kërkesës, me përjashtim të rasteve kur ndalohet shprehimisht nga ligji i posaçëm”, vijon projektligji.

Në një tjetër pikë, projektligji saktëson se vlerësimi i provave dhe dokumentacionit është plotësisht në dorë të ministrit të Drejtësisë.

“Në çdo rast, ministri i Drejtësisë çmon, sipas bindjes së tij, se cilat fakte konsiderohen të provuara bazuar në vlerësimin e hollësishëm të raporteve të paraqitura nga institucionet kompetente, sipas pikës 3, të këtij neni, si dhe në rezultatin tërësor të hetimit administrativ. Procedura administrative për verifikimin e integritetit dhe besueshmërisë profesionale përfundohet nga ministri i Drejtësisë, sipas afateve të përcaktuara në Kodin e Procedurës Administrative”, thuhet aty.

Projektligji thotë se ministri i Drejtësisë vendos që i interesuari nuk kalon procesin e verifikimit të integritetit dhe besueshmërisë profesionale kur:

subjekti i verifikimit ka kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar ose në kryerjen e veprave të rënda penale;

ka shfaqur sjellje të rënda të papërshtatshme etike dhe morale që cenojnë besimin e publikut në sistemin noterial; ose

ka ndonjë shkak tjetër përjashtues, sipas përcaktimit të legjislacionit në fuqi.

Kundër urdhrit të ministrit të Drejtësisë për moskalimin e procesit të verifikimit të integritetit dhe besueshmërisë profesionale mund të bëhet ankim në gjykatën kompetente administrative brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga data e njoftimit të urdhrit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë