Ekonomi

Projektligji / Më pak burokraci për mbështetjen e biznesit të vogël e të mesëm

Qeveria synon që të thjeshtojë procedurat dhe heqë një pjesë të mirë të burokracive me të cilat përballen bizneset e vogla dhe të mesme për të përfituar mbështetje financiare në formën e huave të buta, apo granteve nga buxheti i shtetit, apo donatorë të ndryshëm.

Për këtë qëllim është hedhur për konsultim një projektligj i ri që parashikohet të zëvendësojë ligjin ekzistues që është në fuqi prej vitit 2002. Projektligji i thjeshtuar me vetëm 19 nene përcakton fillimisht se çfarë quhen mikrondërmarrje, ndërmarrje të vogla dhe ndërmarrje të mesme.

Në kategorinë e ndërmarrjeve të mesme përfshihen ato ndërmarrje që kanë të punësuar më pak se 250 persona dhe një bilanc vjetor qarkullimi parash më pak se 250 milionë lek. Ndërmarrjet e vogla klasifikohen ato që kanë më pak se 50 persona të punësuar dhe një bilanc vjetor poshtë 50 mln lekëve dhe mikrondërmarrjet janë bizneset me më pak se 10 persona të punësuar dhe bilanc vjetor jo më të madh se 10 milionë lek.

Format e mbështetjes financiare për këto ndërmarrje propozohen; drejtpërdrejtë nga buxheti i shtetit, nga donatorë të huaj e vendas, garanci shtetërore huaje dhe përmes ofrimit të shërbimeve publike.

Për mbështetjen financiare nga buxheti i shtetit propozohet që të krijohet një fond për zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla e të mesme, që do t’i mbështesë ato në formën e granteve, që do të administrohet nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve. Procedura e konkurrimit për përfitimin e këtyre fondeve propozohet që të rregullohet me VKM.

Kriteret që duhet të plotësojnë mikrondërmarrjet, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme për të përfituar nga këto fonde janë disa, që nga regjistrimi dhe pasja e një NIPT-i, të mos jenë në proces falimentimi, të kenë paguar rregullisht sigurimet e detyrueshme shëndetësore dhe shoqërore dhe të mos kenë asnjë detyrim ndaj organeve doganore e tatimore në momentin e aplikimit për mbështetje financiare.

Sipas projektligjit, kjo kategori e sipërmarrjes mund të përfitojë mbështetje financiare edhe nga bashkitë, me kusht që këto të fundit të përcaktojnë qartë procedurën e ofrimit të kësaj mbështetjeje, që duhet të jetë e njëjtë me të gjitha ndërmarrjet që përfitojnë mbështetje shtetërore.

Projektligji parashikon edhe ngritjen e një këshilli konsultativ, si organ këshillimor pranë Ministrisë së Ekonomisë. Ky këshill drejtohet nga ministri i Ekonomisë dhe përbëhet nga 12 anëtarë me përfaqësues nga financat, ekonomia, ministria e Mbrojtjes së Sipërmarrjes, nga AZHBR, nga Qendra Kombëtare e Biznesit, përfaqësues të biznesit të përzgjedhur nga organizatat dhe dhomat e tregtisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë