Nga Gazeta Si- Ministria e Mjedisit do jetë e detyruar të informojë në kohë reale publikun mbi cilësinë e ajrit si dhe për herë të parë, qytetarët kanë të drejtën ligjore që të kompensohen në rast se sëmuren për shkak të ndotjes së ajrit.
Sipas projektligjit të ri për cilësinë e ajrit në mjedis, i nxjerrë në konsultim publik nga Ministria e Mjedisit, qytetarët do të kenë akses në të dhëna të përditësuara, madje edhe çdo orë, për ndotësit kryesorë si PM10, PM2.5, dioksidi i azotit apo ozoni, si dhe për indeksin e cilësisë së ajrit.
Institucionet do të duhet të informojnë jo vetëm për nivelin e ndotjes, por edhe për efektet e saj në shëndet, simptomat e mundshme dhe masat që qytetarët duhet të marrin për të reduktuar ekspozimin.
Monitorimi aktualisht mbetet i përqendruar kryesisht në Tiranë, me stacione që matin kryesisht PM10, PM2.5 dhe NO2 të lidhura me trafikun. Ndërkohë direktiva e re kërkon supersite ,shton listën e ndotësve si dhe përcakton një mbulim gjeografik më të gjerë nga ku përveç zonave urbane përfshin edhe ato rurale.
Ministria e mjedisit gjithashtu duhet që të identifikojë çdo vit zonat ku ndotja e ajrit vjen nga shtetet fqinje dhe kontribuon në tejkalimin e vlerave kufi si dhe parashikohet edhe bashkëpunimi ndërkufitar për krijimin e stacioneve të përbashkëta monitorimi me vendet fqinje dhe shkëmbimin e të dhënave.
Ndërsa për herë të parë njeh të drejtën ligjore të qytetarëve për kompensim kur autoritetet shkelin me dashje ose nga pakujdesia rregullat e mbrojtjes së ajrit dhe kjo shkakton dëme shëndetësore. Rregullat proceduriale do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje