Treg

Projektligj për emergjencën e furnizimit me gaz

Veç Komunitetit të Energjisë, Shqipëria do të jetë e detyruar që të njoftojë edhe Italinë dhe Greqinë në çdo rast kur shpall gjendje emergjence për shkak se i cenohet siguria e furnizimit të tregut të brendshëm me gaz natyror.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka gati një projektligj, që sipas relacionit shoqërues synon përfshirjen në ligjin ekzistues “Për sigurinë e gazit natyror” të direktivave të Bashkimit Europian në këtë sektor.

Detyrimi për të informuar dhe bashkërënduar veprimet me të gjitha vendet anëtare të Komunitetit të Energjisë dhe sidomos me Italinë dhe Greqinë buron nga përfshirja e Shqipërisë në rrjetin ndërkombëtar të transportit të gazit natyror falë gazsjellësit TAP.

Shqipëria synon që këtë gazsjellës ta shfrytëzojë edhe për rritjen e kapaciteteve të furnizimit me gaz të tregut të brendshëm. Gjendja e emergjencës për shkak të mungesës së furnizimit mund të shpallet nga ministria në tre nivele.

Në rastin e nivelit të tretë, projektligji parashikon kufizime të furnizimit dhe deri në ndërprerjen e shërbimit të furnizimit me gaz, me përjashtim të shkollave, spitaleve, apo konsumatorëve familjarë që janë të lidhur drejtpërdrejtë në rrjet.

Niveli i parë është paralajmërimi i hershëm, niveli i dytë është alarmi dhe niveli i fundit emergjenca. Shpallja e njërës prej këtyre gjendjeve duhet të verifikohet nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë, që sipas parashikimeve të këtij projektligji ka autoritetin që të vendosë nëse gjendja është e justifikuar, apo edhe të deklarojë përfundimin e saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë