Shërbimi spitalor në vend do të ketë një model të ri administrimi dhe menaxhimi. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka treguar vendimin e Këshillit të Ministrave për miratimin e projekttligjit për “Shërbimin spitalor në Republikën e Shqipërisë”.
“Autonomia Spitalore vjen tashmë në këtë sistem të ri që plotësohet në këtë kuadër ligjor. Nëpërmjet kartës së performancës, një kartë, e cila plotësohet nga spitalet, sipas kritereve të përcaktuara, për aftësi menaxheriale, aftësi administrative, aftësi organizative për të përfituar “kartën e performancës” dhe “kartën e autonomisë spitalore” shpjegoi Manastirliu.
Sipas Ministres, ky shërbim do të aplikohet fillimisht me Spitalin Memorial në Fier.
Ministrja Manastirliu foli për një organizim të ri të shërbimit spitalor. Ajo tha se do të ketë një planifikim spitalor kombëtar nëpërmjet një Komiteti të Ekspertëve, Ky komitet do të hartojë Planin e ri Kombëtar Spitalor.
“Do të kemi një organizim të spitaleve, duke filluar nga spitalet ditore, në spitalet bashkiake, spitalet rajonale, qendrat rajonale të shërbimeve. Për herë të parë do të kemi dhe spitale të cilat ofrojnë shërbime të dedikuara jo vetëm në bazë bashkie, por edhe në bazë rajoni” shtoi Manastiliu.
Ajo theksoi se autonomia spitalore do të mundësojë edhe pagesat e diferencuara për mjekët. Kjo do jetë në bazë të performancës dhe shërbimit të ofruar për qytetarët si dhe do të lejojë praktikat e dyfishta të mjekëve.
Ministrja shpjegoi se kjo do të krijojë një mundësi për të shfrytëzuar mjediset spitalore për konsulta përtej orarit të punës
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.