Politike

Projekti në ishullin e Sazanit, Spiropali: Nuk ka asnjë plan për falje tokash

Nga Gazeta ‘Si’- Ministrja për Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, mohoi kategorikisht çdo pretendim për falje tokash apo dhënie territoresh shqiptare, në lidhje me zërat për një vizitë të Ivanka Trump dhe projektin e përfolur “Kushner në Sazan”.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Spiropali theksoi se nuk ekziston asnjë plan për falje tokash dhe se askush nuk i ka kërkuar Shqipërisë të japë territore apo të angazhohet në veprime të tilla.

Ajo sqaroi se bëhet fjalë për projekte serioze zhvillimore, të cilat janë në përputhje me prioritetet e qeverisë shqiptare për zhvillimin ekonomik dhe turistik të vendit.

 “Jo vetëm familja e presidentit Trump, por të gjithë zyrtarët amerikane janë të mirëpritur në Shqipëri dhe nuk kemi asnjë detyrim të japim informacione mbi vizitat e tyre qoftë private apo të tjera. Nuk ka asnjë plan as për falje tokash, as për dhënie të territoreve shqiptare, por ka një partneritet të qartë. Të jeni të sigurt se asnjë nuk kërkon, as SHBA-të, as Trump, as familja e tij që Shqipëria të falë toka siç i quani ju apo të angazhohet në aktivitet të tilla në Shqipëri.

Ka projekte serioze që janë pjesë e projekteve tona zhvillimore dhe ne jemi krenarë për to siç jemi krenarë edhe për programe dhe projekte të tjera të cilat padiskutim do t’i bëjmë realitet në Shqipëri”, tha Spiropali.

Kryeministri Edi Rama duke folur për këtë çështje ka thënë se ishulli nuk do të shitet asnjëherë dhe se qeveria shqiptare do të jetë partnere me grupin që do të investojë aty. Ai ka theksuar se ky projekt do të jetë risi për zonën e Mesdheut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë