Gazeta Si – Pista e Floridës, që debuton në Formula 1 në 2022-shin, do të presë Çmimin e Madh të 5-të të Botërorit më 8 maj. Organizatorët kanë bërë publike idenë e fundit: të formojnë një qendër me plazh dhe pishina në një zonë pranë tri kthesave.
Majemi po përgatitet për hyrjen e tij në F.1, data është fiksuar: 8 maj 2022. Dhe nëse çdo manifestim i madh sportiv përfaqëson në kontekstin e tij disa veçanti, edhe gara e Floridës në kampionatin elitar të automobilizmit nuk bën përjashtim. E tregon projekti për një ‘beach club’ të vërtetë në zonën pranë tri kthesave të cirkuitit amerikan, një vend afër ‘Hard Rock Stadium’. Një ide vërtet origjinale.

Plani parashikon punime përreth tri kthesave radhazi, nga 11-a te 13-a. Rezultati final duhet të jetë një plazh prej gati 2300 metrash katrorë. Pranë rërës do të jenë disa pishina në stilin resort dhe dy lloj kabinash luksi. Këtu përfshihen edhe spektakle muzikore speciale që do të shoqërojnë shikimin e garës, me makinat e protagonistëve që do të ‘fluturojnë’ jo larg këtij pozicioni.
‘Hard Rock Hotel and Casino Hollywood’ do të presë festën e hapjes dhe një ‘after party’ zyrtare. Luks i jashtëzakonshëm dhe zbavitje, të ndërthurura me kuriozitetin e debutimit në F.1 të metropolit të Floridës.
Për këtë ide ka folur zëvendëspresidenti i stadiumit ‘Hard Rock’ dhe Çmimit të Madh të Majemit, Xheremi Ualls, i cili për ‘Motorsportweek’ është shprehur: “Hard Rock Beach Club do të jetë një eksperiencë unike, me artistë dhe muzikantë ndërkombëtare, në një atmosferë energjike, me kabina në plazh dhe pishina”.
Një eksperiencë që në fakt nuk mund ta shijojë kushdo, duke parë çmimet shumë të larta të biletave për të ndjekur nga afër spektaklin. Biletat kushtojnë nga 550 deri në 1800 euro.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




