Norvegjia jep 1,4 mln euro për sektorin detar shqiptar.
“Praktikisht ky fond, kjo mbështetje financiare nga qeveria norvegjeze do të mundësojë fillimin e reformimit të këtij sektori, krijimin edhe të dijeve të nevojshme nëpërmjet bashkëpunimit me universitetin e Vlorës. Shumë shpejt do të fillojë edhe një investim i rëndësishëm për funksionimin e portit të Durrësit siç është thellimi i portit të Durrësit. Nga ana tjetër kemi fituar një grant nga Bashkimit Europian, nëpërmjet WBIF dhe shumë shpejt do të kemi edhe financimin për investime kapitale, zgjerimin e infrastrukturës së portit të Durrësit.” – u shpreh ministri Gjiknuri.
Projekti i quajtur “Zhvillimi i sektorit detar” i cili që u prezantua të premten në Tiranë, financohet nga Qeveria e Norvegjisë dhe zbatohet nga PNUD-i në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Ambasadori i Norvegjisë për Kosovën dhe Shqipërinë Per Strand Sjaastad tha se “Industritë detare mund të jenë një sektor i ri zhvillimi në Shqipëri. Unë mbështes autoritetet shqiptare që e kanë shndërruar këtë në një prioritet për vendin. Norvegjia është një prej shteteve udhëheqëse detare në botë. Ne jemi të gatshëm ta asistojmë Shqipërinë në zhvillimin e sektorit të saj detar. Gjatë fazës së parë do të përqendrohemi tek aftësitë dhe ngritja e kapaciteteve të autoriteteve publike detare, arsimi dhe programet e studimit, si dhe te grumbullimi i të dhënave detare, si bazë e zhvillimit ekonomik”.
Projekti synon rritjen e integrimit të Standardeve Detare Shqiptare në përputhje me kritere e BE-së përmes krijimit të një kuadri politikash të transportit detar. Gjithashtu, qeveria e Norvegjisë mbështet edhe një tjetër projekt të dytë me përfitues Universitetin e Vlorës dhe atë të Durrësit, me fokus edukimin dhe programet e studimit në lidhje me transportin detar. Të dy projektet mundësohen në sajë të mbështetjes me rreth 1.4 milion euro nga qeveria e Norvegjisë.
Sipas INSTAT-it në vitin 2017, krahasuar me 2016-n, vëllimi i kargove të ngarkuara dhe shkarkuara në portet e Shqipërisë është rritur me 7,1%, numri i pasagjerëve që udhëtojnë me linjat detare është rritur me 16,9%, mallrat e transportuara në rrugë detare zënë 62,8% të totalit të transportit si dhe mallrat e importuara në rrugë detare zënë 48.6 %. Pozicioni i favorshëm gjeografik i Shqipërisë, që lidhet me detin Adriatik dhe Jon dhe me detin e Mesdheut Qendror, e bëjnë Shqipërinë në një vend të rëndësishëm për zhvillimin e aktiviteteve detare, prandaj investimi në fjalë mendohet të kontribuojë duke e vënë Shqipërinë në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm dhe të drejtë dhe duke rritur konkurrencën në sektorin detar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




