Ekonomi

Projektbuxheti 2025 në komisionin e ekonomisë, Shehi dhe Braçe kërkojnë seancë të veçantë për pensionet

Nga Gazeta ‘SI’- Ministri i Financave Petrit Malaj, ka prezantuar projektbuxhetin e vitit 2025 në komisionin e Ekonomisë dhe Financave, duke theksuar se ky buxhet përmbush qëllimin e rritjes ekonomike dhe konsolidimin fiskal të financave të vendit.

“Ky projektbuxhet, përmbush dy objektiva themelor, i pari është rrija ekonomike e qëndrueshme, e cila krijon punësim dhe rritje të mirëqenies. Objektivi i dytë, është konsolidimi fiskal, i cili ka për qëllim uljen e borxhit publik dhe ruajtjen e të gjitha parametrave makroekonomikë dhe fiskal në nivele pozitive. Krahas këtyre objektivave, buxheti i vitit që vjen materializon dhe një sërë politikash buxhetore dhe projekte investimi t rëndësishme”, tha ai.

Në një lexim të detajuar, Malaj theksoi se buxheti i planifikuar për vitin 2025, kalon shifrën e 8 mld eurove shpenzime publike dhe shpenzimet totale për pagat për administratën publike në nivel qendror për 86 mijë punonjës planifikohen 127.6 miliardë lekë.

Ndër të tjera, Malaj tha se ekonomia e vendit është në një pozicion të mirë dhe bëri një panoramë të të gjithë treguesve.

“Aktualisht ekonomia është në një moment të mirë, rritja në gjashtëmujorin e parë rritja ishte 3.9%, e ndikuar kryesisht nga shërbimet dhe ndërtimit. Pritshmëritë edhe për tremujorin e tretë janë pozitive, ndaj kemi rishikuar projeksionet për rritjen ekonomike nga 3.7% më 3.9%. Papunësia është ulur, ndërkohë është rritur punësimi dhe pagat. Inflacioni në 9 muajit e këtij viti ka rënë në 2.3%, ndikim të madh në rënien e inflacionit ka dhënë edhe forcimi i monedhës kombëtare. Kursi i forcuar i këmbimit, ka ardhur për shkak të turizmit, remitancave dhe investimeve të huaja direkte. Pr/buxheti i vitit 2025, parashikon që viti të mbyllet me suficit prej 0.5 mld lekë. Për vitin 2025 presin që niveli i borxhit të zbresë në 55.8% nga 56.3% që e presim në fund të këtij viti. Parashikojmë rritje ekonomike në 3.9%, e ndikuar nga konsumi, nga shërbimet, rritja eksporteve. Rreziqet mbeten të balancuara dhe të menaxhuara” tregoi ministri Malaj.

I vetmi përfaqësues i opozitës në komision ishte deputeti Dashamir Shehi, i cili bashkë me socialistin Erion Braçe, propozuan një diskutim të posaçëm për kontributet shoqërore dhe skemën e pensioneve.

Kryetari i komisionit të Ekonomisë njoftoi se debatet mbi buxhetin do të vazhdojnë nesër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë