Nga Gazeta ‘SI’ – Në projektbuxhetin e vitit 2023, qeveria parashikon miratimin dhe taksimin e lojërave të fatit dhe atë të prodhuesve të energjisë elektrike që e eksportojnë atë.
Në pikën e taksave nacionale, në dokumentin e projektbuxhetit, thuhet se nisur nga 1 janari 2023, kur ligji për bastet sportive nis efektin, do të nisë dhe taksimi i të ardhurave nga ky aktivitet. Nga vlerësimet e bëra, qeveria parashikon 2 mld lekë të ardhura.
Po ashtu, quajtur si “taksë speciale”, të ardhurat e fituara nga prodhuesit e energjisë elektrike gjatë vitit 2022, do tatohen për këto fitime shtesë me tarifën 33%. Të ardhurat e pritshme vlerësohen të jenë 8.3 miliardë lekë. Sipas shpjegimit në relacion, kjo do të ndodhë për shkak të rritjes së menjëhershme të çmimeve të energjisë, rritjes së fitimeve të tyre, por jo të kostove.
Parashikimet për taksat nacionale për vitin 2023 janë 31% më shumë se pritshmëritë për 2022 dhe bazohen në rritjen e mbledhjes së taksës së qarkullimit të automjeteve si dhe rezultat i sasive të karburantit që do të hidhen në treg
Në total, në projektbuxhet, të ardhurat totale të shtetit parashikohen të arrijnë 625.7 miliardë lekë, nga këto, të ardhurat tatimore 587.8 miliardë lekë dhe nga doganat 431.2 miliardë lekë.
Sipas shpenzimeve, në relacionin e buxhetit të pa miratuar ende, thuhet se fokusi do të jetë ën investimet publike, në masën e 5.2% ndaj PBB-së dhe specifikisht në digjitalizim dhe sigurinë kibernetike.
Totali i tyre është planifikuar 687.2 miliardë lekë ose 31.6% e PBB. 96.8 miliardë lekë ose 4.5% e PBB-së për administratën publike, 60.9 miliardë lekë ose 2.8% të PBB-së për interesa, kurs këmbimi apo norma.
61.4 miliardë lekë ose rreth 2.8% e PBB-së për shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes për qeverisjen qendrore (pa përfshirë shpenzimet që realizohen nga institucione publike, që kanë si burim financimi të ardhurat jashtë limitit).
Në projektbuxhet qeveria ka parashikuar të vendosë tavan për vlerën totale të kontratave koncesionare, sa 35.9% e PBB-së, për ato që janë tashmë në zhvillim si “Rruga e Arbrit”, “Orikum-Dukat, Porti i Jahteve” dhe “Rruga Milot-Balldren”.
Shpenzimet e buxhetit vendor për vitin 2023, janë parashikuar në masën 65.5 miliardë lekë, me një rritje prej 8.8% më shumë se buxheti i vitit 2022 dhe sa 3% e PBB-së 2023.
Niveli i Fondit Rezervë për vitin 2023, planifikohet në masën 6.6 miliardë lekë, përkatësisht 1.8 miliardë lekë Fond Rezervë i Këshillit të Ministrave dhe 1.8 miliardë lekë kosto e zgjedhjeve dhe 3 miliardë lekë Kontigjencë për raste të paparashikuara.
Në total, Ministria e Financave në Shqipëri parashikon që PBB-ja të arrijë, 2.176 mld lekë për 2023-shin, 0.9 mld më shumë se parashikimi i FMN-së.
MFE parashikon një ngadalësim të rritjes ekonomike në 2.6%, por rritje të ardhurash me 1.3% nga viti 2022, për shkak të implementimit të Strategjisë Afatmesme të Mbledhjes së të Ardhurave. Qeveria parashikon ulje të deficitit në 2.6% nga 3.3% ndaj PBB-së. Inflacioni parashikohet të stabilizohet vetëm në vitin 2024.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



