Politike

Programi i qeverisë, Grupi Parlamentar i PD kërkesë për mocion me debat 

Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ka kërkuar në emër të grupit Parlamentar një mocion me debat mbi prioritet e shpallura të Qeverisë në programin politik të saj, si dhe ndërhyrjen e krimit të organizuar në jetën publike.

Në shkresën drejtuar Kuvendit, PD thekson se është e domosdoshme që të zhvillohet një debat, për një çështje të veçantë, siç është bilanci i Qeverisë aktuale në realizimin e programit politik të kaluar dhe programi politik qeverisës në periudhën në vijim.

“Efikasiteti i qeverisjes është i lidhur drejtpërdrejtë me integritetin e ministrave të emëruar, sepse dyshimet për kriminalizim të jetës politike dëmtojnë rëndë besimin e qytetarëve tek institucionet publike dhe përbën një regres të theksuar marrëdhëniet e shtetit shqiptar me partnerët e saj ndërkombëtarë”, thuhet në shkresë.

Ndër të tjera, PD thekson se “qytetarët shqiptarë duan dhe meritojnë politikanë me integritet të lartë, pa rekorde kriminale në të kaluarën e tyre dhe pa kontaktë me elementë të krimit të organizuar”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë