Sociale

Programi i kujdesit dentar nis nga 10 shkolla në Tiranë

10 shkolla në kryeqytet do të nisin programin e depistimit të kujdesit dentar për fëmijët e grupmoshës 6-14 vjeç.
Nga shkolla 9-vjeçare “Jeronim de Rada” në kryeqytet, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, bashkë me Ministren e Arsimit Evis Kushi dhe Ministren e Fëmijëve dhe Rinisë Bora Muzhaqi, kanë treguar se më pas ky program do të shtrihet edhe në qytete të tjera.

Konkretisht programi do të ofrojë depistimin periodik, edukimi shëndetësor për ruajtjen dhe kujdesin e dhëmbëve si dhe shërbime konkrete, si fluorizimi, pastrimi i gurëzave si dhe trajtimet urgjente apo mjekimet e patologjive të indeve të buta.

“Programi do të shtrihet në nivel kombëtar në njësitë vendore të kujdesit shëndetësor, por gjithashtu nëpërmjet mbështetjes dhe programit që ne kemi me qeverinë ziceriane, do të kemi mundësi që të kemi edhe njësitë e lëvizshme të kujdesit oral në zonat rurale dhe do të jenë dy njësi të lëvizshme, të cilat do të jenë funksionale brenda këtij viti, duke filluar kështu një depistim me bazë të gjerë të fëmijëve në shkolla dhe komunitete”, tha Manastirliu.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, nënvizoi se ky program do të nxisë edukimin shëndetësor tek nxënësit.
“Unë e garantoj që së bashku me mësuesit, më të gjithë ekipet, me stafet tona në shkolla do të bëjmë maksimumin që ky program të zbatohet me rigorozitet”, tha Kushi.

Ndërsa Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi tha se programi do të shtrihet edhe më tej në vend përveç Tiranës, duke ndihmuar shumë më tepër fëmijë.
10 shkollat e para të përzgjedhura janë: “Jeronim de Rada”, “Shkolla e Kuqe”, “Vasil Shanto”, “Mihal Grameno, “Kushtrimi i Lirisë”, “Bajram Curri”, “Lasgush Poradeci”, “28 Nëntori”, “Halit Caka” dhe “Qazim Turdiu”, ku janë ndërtuar unite dentare të reja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë