Politike

Programi ekonomik i PS, Rama: Paqe fiskale me bizneset. 2 mld euro kredi për sipërmarrjet

Nga Gazeta ‘SI’ – Programi ekonomik socialistëve për zgjedhjet e 11 majit synon ndryshimin e regjimit fiskal për bizneset.

Kryeministri Edi Rama, prezantoi nocionin e “paqes fiskale të negociuar” për bizneset, që do të paguajnë një tatim prej 15% mbi fitimin e përputhur me normën e rritjes ekonomike, ndërsa për çdo fitim shtesë mbi këtë normë, tatimi do të jetë vetëm 5%.

“Deri në 2029, Shqipëria do të vazhdojë të jetë, jo vetëm i vetmi vend me zero taksë për biznesin e vogël në rajon, por dhe vendi me nivelin më të ulët absolut të taksave në rajon për të punësuarit. I pandryshuar do të mbetet regjimi i taksës 15% për biznesin e madh, por mandati i katërt do të ketë një risi.  Në mandatin e katërt ne do të kemi një paqe fiskale të negociuar me biznesin, një instrument i njohur qysh në kohëra shumë të vjetra, të cilën latinët e quanin Pax Fiscalis Cum Negotiis. Më pëlqen shumë kjo ide dhe do t’i propozojmë biznesit, qysh në qershor një marrëveshje paqeje të negociuar fiskale për një periudhë 3 vjeçare, ku 15 % i tatimit do të paguhet mbi fitimin e përputhur me normën e rritjes ekonomike, ndërsa për çdo fitim shtesë që biznesi do të deklarojë mbi atë normë, do të tatohet vetëm 5%”, sqaroi kryeministri.

Në këmbim, inspektimet dhe kontrollet tatimore do të ndërpriten, duke synuar formalizimin e të ardhurave të padeklaruara.

“Kjo është një paqe që nënkupton edhe fundin e çdo lloj inspektimi tek biznesi, të çdo lloj kontrolli dhe të çdo lloj minuti të harxhuar për kontrolle bazuar mbi një marrëveshje paqeje, por kjo do të nxjerrë në dritë edhe shumë të ardhura të padeklaruara për arsyet që i dimë që biznesi nuk i ka deklaruar veç faktikisht hyn edhe tek një sërë borxhesh e historisë që as nuk kanë për t’i paguar kurrë po të duash”, tha Rama.

Kryeministri deklaroi se për të mbështetur bizneset në mandatin e katërt, do të mobilizohen mbi 2 miliardë euro në formë kredie dhe garancie nga dy banka, ndërsa 1 miliardë euro të tjera do të vihen në dispozicion përmes paketës Smart Albania.

Rama premtoi se gjatë mandatit të 4 do të ndërtohen edhe 200 shkolla të reja, ndërsa tha se paga mesatare e mësuesit synohet që të shkojë nga 950 euro në 1250 euro.

“Paga mesatare e mësuesve. Paga mesatare e mësuesve është dyfishuar krahasuar me kohën kur ne e morëm detyrën. Ishte 420 euro në vitin 2013 dhe sot është 950 euro. Ndërkohë që në Shqipërinë 2030, mësuesit do të kenë një pagë mesatare 1250 euro. Sot prej vitesh, 238 mijë nxënës i marrin tekstet e shkollës falas. Ne kemi ndërtuar 450 shkolla, nga të cilat kanë përfituar 200 mijë nxënës që sot hyjnë dhe dalin në shkolla që nuk kanë asgjë mangut, jo të gjitha shkollave në Bashkimin Europian, por shkollave më të mira në Bashkimin Europian. Në mandatin e katërt, këtij gjerdani do t’i shtohen edhe 200 shkolla të reja”, tha Rama.

Çdo bashki qendër qarku do të nisë programin e ushqimit në shkolla dhe do të nisë po ashtu një program i ri pas shkollor, programi After School. Rama tha se siguria në shkolla do të garantohet me kamera inteligjente dhe premtoi transport shkollor falas të nxënësve nga shtëpia në shkollë dhe anasjelltas.

Kryeministri Edi Rama tha se gjatë synojnë që pagën e mjekëve ta çojnë deri në 2000 mijë euro.

Rama rikujtoi se nga 1 janari 2026, paga minimale në vend do të shkojë 500 euro. Rama thotë se kur morën qeverinë u përballën me një gropë borxhesh.

 “Vazhdojmë me pagën minimale në vitin 2013, kur ne e morëm detyrën, paga minimale ishte 157 euro. Sot, 2024 u mbyll me pagën minimale 400 euro dhe duke filluar nga janari 2026 me një vendim që do të merret pas zgjedhjeve kur do të bëhet edhe akti normativ i qershorit, paga minimale do të jetë 500 euro.

Për të mbështetur punonjësit që do të përfitojnë nga kjo rritje e shpejtë e pagës minimale, sipërmarrësit do të jenë detyruar të rrisin pagën minimale, por ne do t’u japim një lehtësi që gjatë 18 muajve pas pagës së parë, shteti atyre nuk do t’u kërkojë asnjë detyrim tatimor mbi shtesën prej 100 eurosh.

Kur morën detyrën, Prodhimi i Brendshëm Bruto, Prodhimi i Përgjithshëm Kombëtar, gjithçka që prodhonte Shqipëria ishte 9.6 miliardë euro, sot është 25 miliardë euro. E kemi rritur Prodhimin e Përgjithshëm dy herë e gjysmë. Shqipëria 2030 do të ketë një prodhim të përgjithshëm prej 35 miliardë eurosh”, tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë