Biznes

Profili i një biznesi, ku një ushtarak qëndis me gjilpërë dhe gjergjef

Nga Megi Iskurti- Edhe pse identifikohet me uniformën e ushtarakut, Dori është një djalë 30 vjeçar i cili ka nisur të qëndisë, fillimisht nga iniciativa e të dashurës së tij Kozetës, dhe pastaj sepse ky art i pëlqeu shumë.

Të dy bashkë, kanë krijuar biznesin e tyre të vogël artizanal të qëndismave, i njohur si “Puthje nëpër penj”, të cilat i realizojnë në shëpinë e tyre të vogël që gati gati e kanë kthyer në një gjysmë punishte.

Duke qenë se Kozeta studionte për Fizioterapi në “Universitetin e Mjekësisë”, ajo e ndjente që  dega nuk i linte shumë hapësirë që të merrej me art dhe dëshironte që të gjente një rrugë tjetër për të mbushur boshllëkun dhe për të shprehur aftësitë e saj krijuese.

Për Dorin, qëndisma nuk ka qenë asnjëherë tabu dhe pavarësisht se sa të vështirë e kishte në fillim që të mësonte gjërat bazë, ai sot është perfeksionuar falë përkushtimit dhe pasionit për këtë art i cili i ka kalitur durimin.

“Përfshirja e Dorit ka qenë surprizuese për këdo që e ka mësuar në fillim këtë fakt. Ka qenë surprizuese për mirë që një djalë të qendisë dhe për më tepër ta shpërndajë pa ndrojtje në rrjetet sociale.

Në të njëjtën kohë e vlerësojnë shumë të gjithë ata që tashmë e dinë se jemi çift që jetojmë e punojmë bashkë.”-tregoi Kozeta kur u pyet nga gazetaSI.al në lidhje me impaktin që patën klientët kur Dori u bë pjesë e tij.

Të dy ishin të qartë se këtë pasion për të bukurën donin që ta shndërronin në një biznes nga i cili të mbështesnin veten financiarisht përgjatë asaj periudhe edhe pse ende ishin vetëm në hapat e tyre fillestarë dhe e dinin që duhet të punonin shumë derisa të shihnin frytet e para.

Në 29 prill të vitit 2018, vendosën që të hapin faqen ku do të reklamonin punimet e tyre e që sot numëron rreth 10 mijë ndjekës në instagram.

Të ulur në një nga baret e pedonales të Tiranës, Kozeta dhe Dori kërkonin një emër që do ta bënte më origjinale nismën e tyre, një emër shqip i cili do të përfaqësonte qëndisjen dhe dashurinë.

Në momentin që u regjistruan si biznes, praktikisht në fillimet e tyre, Dori dhe Kozeta e nisën punën vetëm me disa bluza të qëndisura që nisën t’i reklamonin dhe t’i shisnin.

Në rreth 6 muaj, bluzat filluan të zëvendësoheshin ngadalë me gjergjefë të qëndisur në forma më moderne se ato tradicionalet që tani mund të përdoren si interior në ambjente të ndryshme ku çmimet variojnë në varësi të madhësisë por edhe teknikave të gërshetuara.

Me rritjen e angazhimit të tyre, u rritën kërkësat nga klientët që kërkonin punime të veçanta dhe si rrjedhojë, edhe fitimet.

Pyetur se sa e vështirë është të marrësh iniciativën për të hapur një biznes artizanal në Shqipëri dhe t’i qasesh tregut, Kozeta u përgjigj se peripecitë janë të shumta por në periudhën që ata e regjistruan biznesin, kishin si konkurrentë vetëm dy të tjerë.

Gjithsesi, ajo i mëshon shumë faktit që nëse punon me pasion dhe përkushtim, çdo biznes jeton gjatë, qoftë ai artizanal ose jo.

Në fillimet e tyre porositë ishin në një numër shumë të vogël, një ose dy në javë.

Nga rreth 6-8 porosi që merrnin në muaj atëherë, tani marrin rreth 50-60 porosi sepse kaq është dhe kapaciteti i tyre për t’i realizuar në kohë.

 “Të gjitha proceset e punës i realizojmë në shtëpi sepse edhe filozofia jonë kjo ka qenë edhe vazhdon të jetë, ta konsiderojmë “shtëpi brenda shtëpisë”.

Puna realizohet e gjitha me dorë dhe në një punim të vetëm mund të jenë përdorur 5-6 teknika të ndryshme qëndisjeje.

Mesatarisht një punim i thjeshtë kërkon 7-8 orë për t’u realizuar nga ideimi deri tek mbyllja përfundimtare.”- tha Kozeta për Gazetasi.al

Puna u merr pjesën më të madhe të kohës dhe ka ditë kur punojnë rreth 14-16 orë por megjithatë, Kozeta tregon që pa të do të ndiheshin shumë bosh.

Fakti që janë dy njerëz që tashmë e dinë se çfarë po bëjnë, e bën paksa më të lehtë përmbushjen e angazhimeve të tjera sepse të dy përpiqen të jenë gjithë kohës të organizuar dhe të ndihmojnë njëri-tjetrin në çdo punë.

Kur njëra dorë nuk mundet, është dora tjetër ajo që ndihmon për të dërguar më tej këtë rrugëtim që kanë nisur.

Teksa kthehet në kohë, Kozeta e kupton se sa shumë janë rritur profesionalisht.

Ata janë të vetëmësuar në këtë artizanat dhe kanë punuar shumë çdo ditë që të përmirësohen.

Pas bluzave të qëndisura, filluan të qëndisnin aksesorë të vegjël si karfica, rrathë koke (headband) apo varëse.

Suksesi i biznesit të tyre qëndron te risitë që kanë shtuar me kalimin e kohës.

Kozeta dhe Dori kanë sjellë një gamë shumë të gjerë punimesh në gjergjef nga përmasa 10cm deri në 70cm.

Ata kanë sjellë për herë të parë në Shqipëri metodën “Cyanotype” të gërshetuar me qëndismën e cila është cilësuar si metoda e parë e fotografisë në botë.

Te dy bashkë gjithashtu kanë sjellë punime ku janë ndërthurur bojra akrilike me qëndisje dhe tashmë, në pak kohë, Kozeta tregoi që do të sjellin edhe shumë produkte të tjera që në Shqipëri nuk krijohen ende nga asnjë artizan.

Si me çdo biznes tjetër, ardhja zyrtare e pandemisë ndikoi jashtëzakonisht shumë edhe tek ta por përgjatë ditëve u rrit angazhimi i tyre dhe bashkë me të u rritën edhe kërkesat nga klientët.

Këta të fundit, sipas Kozetës, e zgjedhin biznesin e tyre sepse u pëlqen cilësia e punimeve, ngjyrat dhe paketimet për të cilat Dori dhe Kozeta kujdesen deri në detaje duke përfshirë aty edhe mesazhe të shkruara me makinë shkrimi.

Klientët e tyre e thonë shpesh që ndihet në pamje të parë dashuria dhe kjo gjë ua shton akoma më shumë dashurinë, përkushtimin dhe përgjegjësinë për punën Dorit dhe Kozetës.

Sipas saj, një pikë e fortë që e mba gjallë biznesin e tyre është fakti që ata nuk kanë qenë kurrë të sforcuar në asgjë që bëjnë.

“Të dy jemi natyra kreative, na pëlqen të shkruajmë, të lexojmë.

Mënyra se si ne shkruajmë, bëjmë foto apo video ka qenë gjithmonë shumë natyrale.

 Na pëlqen jeta e ngadaltë dhe jemi paksa perfeksionistë në këtë punë.

Mendojmë që kjo mënyrë e sinqertë qasje në Instagramin tonë ka bërë që njerëzit të krijojnë besim dhe rrjedhimisht të zgjedhin të porosisin tek ne.”- citoi ajo.

Aktualisht të dy janë në një fazë ku po eksperimentojnë me produkte dhe mënyra të reja se si mund ta sjellin më afër njerëzve punën e dorës dhe po mendojnë që të zgjerojnë biznesin e tyre por duke i mbetur gjithmonë stoikë të qëndisurit me dorë.

“Po punojmë për të krijuar një studio të mirëfilltë pune. Të punuarit në shtëpi bën që ndonjëherë të ngatërrohen kufijtë se ku fillon dhe ku mbaron puna, prandaj dhe ne e ndjejmë të nevojshme prej disa kohësh të kemi një hapësirë të ndarë nga shtëpia, kështu dhe i japim mundësi zgjerimit tonë si biznes.”- tregoi Kozeta duke na lënë të kuptojmë që planet e tyre janë afatgjata dhe do të shtrihen në kohë.

Në 29 prill bëhen tre vite që nga hapja e këtij biznesi i cili me aq sa na tregoi Kozeta ,ka qenë një rrugëtim i mbushur me ëndrra, dëshirë për të mësuar dhe shumë punë.

Biznesi i tyre i vogël, kjo shtëpi e ngrohtë arti modest, ka në thelb jo vetëm traditën e moderuar por mbi të gjitha pasionin për të bukurën dhe dashurinë…


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë