Gazeta “Si” – Prodhuesit shqiptarë të verës kanë zyrtarizuar krijimin e shoqatës së tyre. Nën tingujt e muzikës klasike, Unioni i prodhuesve të verës ka bërë bashkë në një mbrëmje prodhues dhe shijues të verës. Somelieri Dashamir Elezi i cili është edhe themeluesi i Unionit ka treguar se si lindi nevoja për krijimin e këtij.
“U krijua si nevojë që prodhuesit të reklamohen më qartë me produktin e tyre qoftë në tregun shqiptar e qoftë në tregun ndërkombëtar. Është krijuar si një nevojë që produkti tipik shqiptar të dali në pah”, thotë Elezi.

Ai shton për Gazetasi.al se një nga problemet që has vera “Made in Albania” është kaosi në treg.
Përveç problemit të konkurrencës së pandershme nga produktet e importit, Elezi thotë se problem janë edhe verërat e prodhuara në mënyrë anonime nga prodhues të paautorizuar “dhe pa asnjë licencë apo kriter Teknik”.
“Ndërkohë ato zënë një pjesë të konsiderueshme të tregut nëpër bare e restorante”, thotë Elezi.

Unioni i prodhimit të verës u krijua edhe si një nevojë bashkëpunimi midis institucioneve që të ketë një rregullsi tregu që duhet të jetë paralel me atë që të gjithë ato që janë emigrant dhe kanë biznese nëpër botë kanë kërkuar.
“Ato kërkojnë ta provojnë produktin shqiptar më të organizuar”.
Elezi thotë se krijimi i këtij Unioni ka si qëllim rritjen e cilësisë së prodhimit të kësaj pije në harmoni me natyrën dhe në respekt të vlerave etnogastronomike.
Unioni i prodhuesve të verës synon edhe të përqendrohet tek ligjet e prodhimit, ruajtjes apo marketingut ku sipas themeluesit Elezi, këto në vendin tonë janë në mangësi apo joekzistent.

Gjithashtu, një problem tjetër që hasin prodhuesit e verës në Shqipëri janë edhe pengesat burokratike në prodhim dhe koha e gjatë dhe e vështirë e këmbimit tregtar.
“Kjo nënkupton se nga institucionet e kontrollit u ndërhyhet në procesin teknologjik dhe dëmtohen (me ndalim apo gjobvënie) prodhuesit për situata të panjohura edhe për zyrtarët e institucioneve ligjzbatuese”, thotë Elezi duke shtuar se do të kërkohet edhe një marketing i rregullt dhe me etikë në treg.
“Prodhimi shqiptar ka nevojë të mbështetet nga institucionet për të dalë në pah në nivelin që meriton”, thotë Elezi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




