Sabina Veizaj – Gjatë Prezantimit të Paketës Fiskale në Kuvend nga Ministri i Ekonomisë dhe Financave Arben Ahmetaj, dokumenti final u ka qëndruar besnik prezantimeve më të hershme të detajeve që ministri ka dhënë herë pas herë në media. Sipas projektligjit për Paketën Fiskale 2019, renta minerare shkon nga 6 në 9% me shpjegimin se kromi në Shqipëri do të mbarojë për 8 vite dhe hapi i eksportit është mjaft i madh: 500 mijë tonë në vit. Ndërsa 135 mijë tonë të tjera shkojnë për përpunim brenda vendit, në një kohë që rezervat e kromit në Shqipëri vlerësohen në 5.5 milionë ton. Dhe me ritme të tilla, pretendohet se kromi do të mbaronte për 8 vite, ndërkohë që industria e ferrokromit në vendin tonë do të duhej të mbyllej pas 10 viteve.
Duke e konsideruar si nismë që bie në kundërshtim me ligjin, rritjen e rentës minerare, një grup prodhuesish vendas të kromit i janë drejtuar përmes një letre kryeministrit dhe ministrive të linjës duke i kërkuar dëgjesë publike.
“Ju shpreheni se qëllimi i ndryshimit të ligjit është stimulimi i politikës së përpunimit në vend të mineralit të kromit dhe rritjes së vlerës për eksport, duke rritur Rentën Minerare, me 50% të vlerës aktuale. Ky ndryshim vërtetë do të shtojë vlerën e mineralit, por vlera e mbishtuar nuk do të shpërndahet në favour të të gjithë shoqërisë, por në favour të sponsorizuesit të këtij ndryshimi. Ashtu siç edhe propozohet, që renta për mineralin që do të shitet në vend, nuk do të rritet propocionalisht, por do të aplikohet në masën 1/3-ta.”- citon dokumenti.
Sipas prodhuesve, në ndryshimet e bëra ligjit, nuk është marrë parasysh se Industria e FerroKromit mund të përpunojë vetëm një sasi shumë të vogël të prodhimit të mineralit rreth 20% të prodhimit vjetor, duke lënë të papërdorur rreth 80% të sasisë. Rritja e Rentës në masën 9% për prodhuesit, do të eleminojë mundësinë për të eksportuar duke humbur mundësinë e konkurrencës së lirë.
Prodhuesit shpjegojnë në dokument se eliminimi i mundësisë për të eksportuar, do të sjellë zvogëlimin drastik të prodhimit të mineralit deri në eleminimin e prodhimit vjetor të rreth 500,000 ton mineral kromi. “Pasojë e drejtpërdrejtë për ne si prodhues, do jetë humbja e vlerës së investimeve të bëra gjatë 12 vjetëve të fundit. Me ritmin e sotëm të prodhimit, lëvizin nga zonat kromnxjerrëse në drejtim të Portit të Durrësit rreth 1,390 ton në ditë. Me eleminimin e prodhimit e të lëvizjes së kësaj mase të mineralit të kromit, në drejtim të Durrësit do të humbasin punën e përditshme rreth 1,300 -1,400 minatorë, seleksionues të mineralit, drejtuesit e mjeteve të ngarkimit. Do të eliminimohet volumi i transportit, do të hiqen nga qarkullimi qindra mjete të rënda transporti, do të hiqet nga qarkullimi karburanti i nevojshëm për lëvizjen e tyre. Do të zhduken të ardhurat nga magazimimi e përpunimi në Durrës, do të paralizohen mjetet e ngarkimit e të lëvizjes. Do të vihet në rrezik e ardhmja në Portin e Durrësit, e linjave të Konteinereve. E kjo listë vazhdon,” thonë ata.
Ndërsa ekonomia shqiptare, siç prodhuesit kanë përllogaritur, do të humbasë futjen në qarkullim në sitemin bankar të rreth 80-100 milionë dollarëve, do të humbasë arkëtimin e rreth 6-7 milionë dollarëve në vit nga mbledhja e Rentës aktuale Minerare.
Prodhuesit kërkojnë nga qeveria, mbajtjen e rentës minerare në nivelin aktual dhe heqjen dorë nga çmimi i referencës për kromin. “Caktimi i Çmimit të Referencës, i cili aplikohet në mënyrë të njëanshme e nuk merr parasysh çmimin real në tregun botëror, duhet korrigjuar urgjentisht sepse zbatim i tyre është i gabuar dhe “de fakto” do të rëndojë koston e produktit me rreth 16%”, citojnë në dokument prodhuesit.
Shkëlqim Cevani, një nga firmëtarët e dokumentit u shpreh për Gazetën “Si” se takimi në Ministrinë e Energjetikës rezultoi jo i suksesshëm. “Ne ende nuk kemi marrë një përgjigje, qoftë me shkrim, qoftë me gojë për kërkesat tona, ndërsa Paketa Fiskale po diskutohet në komisionet kuvendore dhe dokumenti ynë mban datën 17 tetor”, thotë ai.
Nëse qeveria do të vazhdojë të heshtë dhe nuk do të reagojë në lidhje me kërkesat, Z. Cevani thotë se më datën 1 janar do të nisin protesat dhe industria nxjerrëse e kromit do të mbyllet ngadalë duke lënë rreth 3,000 familje pa të ardhura.
Më herët, përfaqësues të industrisë janë shprehur për Gazetën “Si” se gjithë kjo bëhet me qëllim për të favorizuar biznese pranë qeverisë në këtë sektor.
Aktualisht në Shqipëri ka rreth 100 subjekte prodhues të kromit; të vegjël, të mesëm e të mëdhenj. Kurse prodhues të ferrokromit që shërben për eksport janë dy kompani, “AlbKrom” e Samir Manes dhe kompania “GSA”. Sipas burimeve të këtij sektori, “AlbKrom” mbulon 4/5 e tregut.
Samir Mane ka hyrë në industrinë e kromit përmes koncesionit në vitin 2013-të kur u largua investitori i huaj dhe “GSA” do kohë më vonë. Aktualisht për prodhimin e ferrokromit janë 4 furra, dy në Elbasan dhe 2 në Burrel, të cilat priten të shtohen vitin që vjen nga të dy subjektet.
Sipas ekspertëve, ferrokromi shqiptar është shumë i kërkuar jashtë vendit sepse është i një cilësie të veçantë dhe shërben për prodhimin e çelikut special, të cilin ne nuk e prodhojmë. (65-70 % krom, 15 % hekur dhe minerale të tjera)
Sipas të dhënave nga prodhuesit, një furrë prodhon 3500 ton mineral në muaj dhe të katërta furrat që i përkasin dy subjekteve të ndryshme, prodhojnë 14 mijë ton në muaj.
Por sipas disa prodhuesve, rritja e rentës bëhet që prodhuesit të mos guxojnë të prodhojnë për eksport për shkak të kostove të papërballueshme dhe të punojnë për Samir Manen, i cili mendohet të jetë eksportuesi më i madh i ferrokromit në Shqipëri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.