Treg

Prodhuam më shumë energji, rritëm eksportet në tremujorin e tretë të vitit

Bizneset kanë ulur konsumin e energjisë, familjarët e kanë rritur atë

Tremujori i tretë i vitit 2020 ka qenë pozitiv për sektorin energjetik ku prodhimi neto u rrit me 8%.

Teksa shqiptarët në klëtë periudhë konsumuan 1,9 % më pak energji ose 1.481 GËh nga 1.510 GËh që ishte në tremujorin e tretë të vitit 2019, ajo ka shkuar për eksport.

Eksporti bruto i energjisë elektrike (energji në dhënie) arriti vlerën 139 GËh nga 105 GËh duke shënuar një rritje me 32,7 %

Të dhënat e raportuara nga INSTAT, sot (të martën) tregojnë se gjatë tremujorit të tretë të vitit 2020, energjia elektrike në dispozicion u ul me 2,5 % krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2019. Prodhimi neto vendas i energjisë elektrike në këtë periudhë arriti vlerën 1.280 GËh nga 1.186 GËh energji të prodhuar në tremujorin e tretë të vitit 2019, duke shënuar një rritje të prodhimit me 8 %. Ky prodhim u realizua nga hidrocentralet publike në masën 76,4 %, nga hidrocentralet private dhe koncensionare në masën 22,8 % dhe nga të tjerë prodhues (energji e rinovueshme) në masën 0,8 % të prodhimit neto vendas të energjisë elektrike.

Importi bruto i energjisë elektrike (energji në marrje), në tremujorin e tretë të vitit 2020, arriti vlerën 666 GËh nga 772 GËh që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar kështu një rënie me 13,8 %.

Hidrocentralet publike, në tremujorin e tretë të vitit 2020, prodhuan 978 GËh nga 941 GËh të prodhuar në tremujorin e tretë të vitit 2019, duke shënuar një rritje të prodhimit me 3,9 %. Hidrocentralet private dhe koncensionare, prodhuan 292 GËh nga 237 GËh të prodhuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar një rritje të prodhimit të energjisë elektrike me 23,1 %. Shkëmbimi i energjisë elektrike (diferenca mes eksportit dhe importit bruto të energjisë), në tremujorin e tretë të vitit 2020, ka pësuar një rritje me 21,1 % krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2019.

Humbjet në rrjet arritën vlerën 325 GËh nga 342 GËh duke shënuar kështu një rënie me 5,1 %. Humbjet në transmetim kanë rënë me 5,4 % ndërsa humbjet në shpërndarje kanë rënë me 5 %. Humbjet teknike në shpërndarje kanë shënuar një rënie me 3 %, ndërsa humbjet jo teknike në shpërndarje kanë shënuar një rënie me 8,4 %, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2019.

Ndikimin më të madh në uljen e përdorimit të energjisë elektrike nga konsumatorët e kanë dhënë konsumatorët jo familjarë, me një rënie të konsumit të energjisë elektrike me 5,1 %, përkundrejt rritjes me 2,5 % të energjisë së konsumuar nga konsumatorët familjarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë