Ka ndodhur

I moshuari amerikan i arrestuar në Tiranë për prodhim të materialeve pornografike me të mitur, i dënuar më parë edhe në Rusi

Nga Gazeta Si – Policia e Shtetit ka arrestuar një 71-vjeçar amerikan, i cili akuzohet se prodhonte në vendin tonë materiale pornografike me të mitur.

Operacioni u realizua falë bashkëpunimit ndërmjet Task Forcës për Shërbimet e Përbashkëta Investiguese në Departamentin e Policisë Kriminale dhe Njësisë kundër Krimeve Kibernetike, me Zyrën Rajonale të Sigurisë së Ambasadës së ShBA në Tiranë (RSO/OCIU) dhe me Prokurorinë e Tiranës.

Sipas policisë, amerikani i identifikuar si David Ira Lang, ishte me precedent penal jashtë Shqipërisë.

Biznesmeni amerikan rezulton i dënuar nga një gjykatë ruse me 7.6 vite, për filmimin dhe shitjen e materialeve pornografike, ku ishin përfshirë dhjetëra fëmijë të mitur.

David Lang, një konsulent biznesi ‘i respektuar’ dhe mësues i anglishtes nga Nju Jorku, drejtoi studion e tij të paligjshme të filmit për 9 vjet në Chelyabinsk, përpara se të arrestohej, shkruan “Daily Mail”.

Në gjykatë u paraqitën pamje filmike dhe fotografi ku ai abuzonte seksualisht me viktimat e tij. Sipas medias britanike, David Lang abuzoi seksualisht me një adoleshente në mënyrë të përsëritur.

Ai u shpall fajtor për ‘marrëdhënie seksuale dhe akte të tjera të natyrës seksuale me një person që nuk ka mbushur moshën 16 vjeç’.

Hetimet disamujore të kryera në kuadër të operacionit policor të koduar “Gjurma virtuale” rezultuan me identifikimin dhe ndalimin e shtetasit amerikan, 71 vjeç, banues në Tiranë. Ai dyshohet se në Shqipëri, prodhonte dhe posedonte materiale pornografike me të mitur.

Në zbatim të urdhrit të Prokurorit, për ekzekutimin e vendimit të gjykatës, për lejim të kontrollit, Departamenti i Policisë Kriminale kreu kontroll në banesën e 71-vjeçarit, ku gjeti dhe sekuestroi pajisje elektronike dhe materiale të tjera, që kanë shërbyer për kryerjen e kësaj veprimtarie kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë