Treg

Prodhimi vendas mbulon konsumin, situata energjetike e Shqipërisë pozitive. Dominojnë HEC-et private

Nga Gazeta ‘SI’ – Reshjet e shpeshta kanë përmirësuar ndjeshëm situatën energjetike të Shqipërisë, ku vetëm në 3 muajt e parë të 2024-s, prodhoi 4.5 mln megavatorë energji. Rritja është me 1 mln megavatorë nga një vit më parë.

Sipas të dhënave të Entit Rregullator të Energjisë, rreth 49% e kësaj energjie u prodhua nga HEC-et në Drin, ndërsa 51% nga hidrocentralet private.

Nga centralet fotovoltaike në vend raportohet të jenë prodhuar 22.8 mijë megavatorë. Ndonëse sasia është më e lartë se një vit më parë, energjia nga dielli nuk po përparon aq shpejt sa pritej. Niveli i humbjeve në rrjetin e shpërndarjes për 3-mujorin u regjistrua në 19.3%, duke shënuar një përmirësim të lehtë në raport me të njëtën periudhë të vitit të kaluar.

Konsumi total i energjisë, duke përfshirë të gjitha kategoritë e konsumatorëve, për 3-mujorin arriti në rreth 2.2 mln mWh energji, nga të cilat 979.5 mijë i përkisnin klientëve familjarë. Numri i abonentëve është rritur me rreth 6 mijë nga janari në mars 2024.

Niveli i arkëtimeve vijon të jetë pozitiv për Operatorin e Shpërndarjes, OSHEE, me më shumë se 21 mld lekë fatura të mbledhura në 3 muaj ose rreth 96% të faturave të gjeneruara.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë