Kufizimet e reja për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të koronavirusit, ka të ngjarë të dëmtojnë rimëkëmbjen në pjesën tjetër të vitit
Ekonomia e zonës euro doli nga recesioni i shkaktuar nga pandemia në tre mujorin deri në shtator, por prodhimi mbeti shumë më poshtë niveleve para-pandemike dhe të dhëna të tjera sugjerojnë se rimëkëmbja tashmë ka ngecur për shkak të rikthimit të situatës shëndetësore.
Prodhimi i bllokut u rrit me 12.7 përqind në tremujorin e tretë të vitit krahasuar me tre muajt e mëparshëm, më mirë se 9.5 përqind e pritur nga ekonomistët të anketuar nga Reuters dhe shkalla më e shpejtë e zgjerimit që nga fillimi i regjistrimeve në 1995.
Por prodhimi i brendshëm bruto mbeti 4.3 përqind më i vogël se niveli para-pandemik në fund të vitit të kaluar, dhe ekonomistët kanë paralajmëruar se raundi i ri i kufizimeve të vendosura javët e fundit për të përmbajtur virusin, mund ta rëndojë bllokun përsëri duke shpënë në tkurrje ekonomike në tremujorin e fundit të këtij viti.
Nga ana tjetër, ekonomia e SHBA-ve është rikthyer brenda 3.5 përqind të nivelit të saj në fund të vitit të kaluar, sipas të dhënave më të fundit zyrtare.
Ekonomitë më të mëdha të zonës euro ndryshuan në performancën e tyre – ekonomia e Gjermanisë u zgjerua me 8.2 përqind në bazë tremujore ndërsa Franca u rrit me 18.2 përqind. Italia raportoi rritje prej 16.1 përqind dhe prodhimi i Spanjës u rrit me 16.7 përqind.
Kjo e la prodhimin ekonomik të Francës 4.1 përqind nën nivelin e para-pandemisë, ndërsa Gjermania ishte poshtë 4.2 përqind dhe Italia ishte 4.5 përqind më e vogël. Spanja u godit më rëndë, me një hendek prej 9.1 përqind nga nivelet para-pandemisë – duke e përmbysur pozicionin e saj si një nga ekonomitë me rritjen më të shpejtë në zonën e euros para se të goditej virusi.
Gustavo Matías, një profesor i ekonomisë në Universitetin Autonom të Madridit, tha se të dhënat “konfirmojnë që ekonomia spanjolle amplifikon ciklin ekonomik: kur bota shkon mirë, Spanja performon më mirë dhe kur shkon keq, Spanja performon më keq”.
Rënia më e shpejtë e prodhimit spanjoll pjesërisht pasqyron mungesën e turistëve ndërkombëtarë në një vend që mbështetet në të ardhurat e vizitorëve të huaj. Rreth 15 përqind e ekonomisë spanjolle ka të bëjë me të ardhurat nga turizmi, më e madhja nga çdo ekonomi e madhe e zonës euro.
Rosie Colthorpe, një ekonomiste në Oxford Economics, tha se performanca e dobët e Spanjës “pasqyron varësinë e saj nga sektori i turizmit i goditur rëndë, ku prodhimi mbeti 22 përqind nën nivelet e një viti më parë”.
Ignacio de la Torre, kryekonomist në bankën e investimeve me bazë në Madrid Arcano Partners, tha se humbja e Spanjës në turizmin ndërkombëtar u kompensua pjesërisht nga udhëtimet e brendshme të Spanjollëve, por paralajmëroi: “Tani vjen pjesa e vështirë, një tremujor i katërt më i ashpër për shkak të situatës mjekësore. ”
Të dhëna e botuara të premten siguruan prova të reja të ngadalësimit të fundit ekonomik në të gjithë zonën e euros.
Blloku u përkeqësua në muajin e tij të tretë radhazi me inflacion negativ në tetor, në minus 0.3 përqind nga viti në vit. Dhe rimëkëmbja e tij pesë-mujore e tregut të punës u përmbys në shtator, me numrin e të papunëve në rritje në 75,000 syresh.
Ekonomistët thanë se të gjitha ekonomitë kryesore të zonës së euros u përballën me një ngadalësim të ri.
Carsten Brzeski, ekonomist në ING, paralajmëroi se në Gjermani “një rënie e madhe duket e pashmangshme”.
“Fatkeqësisht ende nuk ka prova që ju thjesht mund të ndizni dhe fikni një ekonomi si një çelës dritash pa shkaktuar shumë dëme strukturore, ndoshta edhe një qark të shkurtër,” tha ai.
Peter Altmaier, ministri i ekonomisë së Gjermanisë, tha se qeveria kishte ulur parashikimin tremujor të rritjes për tremujorin e fundit të këtij viti nga 1.1 përqind në 0.4 përqind.
Sidoqoftë, ai tha se industria gjermane po përfitonte nga fakti që zinxhirët e furnizimit nuk ishin ndërprerë dhe eksportet në Azi po rriteshin me shpejtësi. “Kjo do të thotë që ky treg i rëndësishëm është stabilizuar dhe po rritet përsëri,” shtoi ai.
Ekonomistët në Berenberg parashikuan që kufizimet e reja në Francë do të shkaktonin një tkurrje tjetër serioze në tre muajt e fundit të këtij viti. “PBB Franceze tani duket se do të bjerë ndjeshëm në tremujorin e katërt, ndoshta me 3 deri në 4 përqind,” thanë ata.
Shpenzimet e konsumit francez për mallra ranë papritur në shtator, 5.1 përqind nga muaji i kaluar – duke e çuar përsëri poshtë niveleve para-pandemisë për herë të parë që nga maji.
Një pamje e ngjashme u shfaq për shitjet gjermane me pakicë, të cilat ranë më shumë sesa pritej, 2.2 përqind në shtator dhe duke përmbysur shumë prej fitimeve në gusht, duke nxitur frikën se sektori i konsumit të vendit po humbiste./Financial Times/ Në shqip: Gazeta “Si”/
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



