Ushqim

Prodhimi i havjarit po ‘shkëlqen’ nëpër botë, pavarësisht Covid-19

Kur restorantet e nivelit të lartë anembanë globit duhej të mbyllnin dyert e tyre gjatë izolimeve të Covid, gjërat nuk dukeshin mirë për prodhuesit e havjarit në botë.

Duke shtuar këtu eventet që u anuluan dhe lundrimet që nuk mund të bëheshin, kjo ishte katastrofë për shitësit e vezëve të shtrenjta të peshkut.

Por realiteti ka qenë shumë ndryshe. Shitjet online kanë lulëzuar pasi njerëzit në të gjithë botën kanë konsumuar gjithnjë e më shumë havjar në shtëpi.

“Unë mendoj se njerëzit në izolim donin të kënaqeshin dhe të gjithë vendosën të shpenzojnë para për havjar, qoftë në shtëpi, ose në restorante kur ishin në gjendje të hapeshin përsëri”, thotë Carla Sora, menaxhere e përgjithshme e Agroittica Lombarda të Italisë, në Europë, ferma më e madhe e havjarit.

Por çfarë është saktësisht havjar? Janë vezët e llojeve të shumta të peshkut. E konsideruar prej kohësh një delikatesë, industria ishte e përqendruar historikisht në rezervat e egra në Detin Kaspik, i cili sot është i rrethuar nga Rusia, Kazakistani, Turkmenistani, Irani dhe Azerbajxhani.

Por deri në vitin 2006, mbipeshkimi në Kaspik çoi në ndalimin e shitjes globale të pothuajse të gjithë havjarit të egër nga deti. Kjo ende zbatohet nga Konventa në Zvicër për Tregtinë Ndërkombëtare të Llojeve të Rrezikuara të Faunës dhe Florës së Egër.

Ndalimi çoi në një rritje të madhe në kultivimin e peshkut të blinit në të gjithë botën, veçanërisht për prodhimin e havjarit. Si rezultat, pothuajse i gjithë havjari i shitur legalisht në mbarë botën tani është nga stoqet e kultivuara, bli i rritur në liqene dhe pellgje të krijuara nga njeriu.

Kjo industri globale kishte vlerë 750 milionë euro në vitin 2019, sipas shifrave më të fundit nga firma norvegjeze Kontali, e cila monitoron sektorin ndërkombëtar të fermave të peshkut. Ndërkohë, Bashkimi Europian vlerësoi se vëllimet globale të havjarit arritën në 380 tonë në vitin 2018, shifrat më të përditësuara.

Sora thotë se shitjet në Agroittica Lombarda u rritën vitin e kaluar, veçanërisht në SHBA, ku u dyfishuan.

Ndërkohë, firma amerikane Sterling Caviar, pronare e katër fermave në Kaliforni dhe prodhuesi më i madh i havjarit në vend, tha se shitjet e saj u rritën me 10% në vitin 2021. Në Mbretërinë e Bashkuar, fermeri i vetëm i blinit, Exmoor Caviar, shiti të gjitha stoku i tij të atëhershëm në fund të 2020.

Fermë për kultivimin e blinit

Analistja Maren Boe, thotë se shitjet në internet kanë qenë “hiri shpëtimtar” për prodhuesit që nga ardhja e pandemisë së koronavirusit.

“Duke shitur kanaçe më të vogla havjar, si në dyqane ashtu edhe në internet, prodhuesit kanë qenë në gjendje t’u shesin konsumatorëve që kërkojnë të rrisin luksin e përditshëm duke blerë havjar për ta konsumuar në shtëpi”, thotë ajo.

Sora shton se prodhuesit në SHBA dhe Europë kanë përfituar gjithashtu nga më pak eksporte havjar që vijnë nga Kina, fermat e së cilës përbëjnë 70% të prodhimit global. Konsumi i brendshëm i havjarit në Kinë është rritur në vitet e fundit, në të njëjtën kohë që mund të ketë pasur disa mungesa të stafit të shkaktuar nga pandemia.

Por pse havjar është kaq i shtrenjtë?

Pjesa më e madhe e kostos së lartë është për faktin se blinit femër i duhet shumë kohë për të arritur pjekurinë e vezëve. Për blinin siberian, specia kryesore e kultivuar në Exmoor, kjo zgjat nga katër deri në pesë vjet. Për blinin e bardhë në Agroittica Lombarda, femrat nuk fillojnë të bëjnë vezë deri në moshën 14 vjeç.

Blini është një llojet më të vjetra të peshqve, që ka ekzistuar që 200 milionë vjet më parë

Kritikët e fermave të blinit, të tilla si Organizata “Njerëzit për trajtimin etik të kafshëve”, argumentojnë se kultivimi i çdo peshku është mizor, pasi i mban ata në një hapësirë ​​të mbyllur artificialisht. Edhe blinat femra përgjithësisht vriten para se të merren vezët e tyre.

Industria e havjarit kundërshton se mishi i blinit shitet gjithashtu për t’u ngrënë dhe se mirëqenia e peshkut është përparësia e tyre kryesore.

Shefi ekzekutiv i Exmoor, Kenneth Benning thotë se, pavarësisht bumit të fundit, nuk ka siguri që shitjet e havjarit do të vazhdojnë të rriten kaq fuqishëm, sepse kërkesa për produktin e shtrenjtë premium ndikohet shumë nga pasiguria ekonomike.

“Realiteti është se të ardhurat në të gjithë botën do të jenë në rënie”, thotë ai.

Nga ana tjetër, Sterling synon të blejë 240 hektarë tokë të tjera për të zgjeruar fermat e saj ekzistuese.

Në Exmoor, planet për të ardhmen janë më të teknologjisë së lartë. Ajo ka paraqitur një patentë për zhvillimin e havjarit të rritur në laborator nga qelizat burimore të blinit. Kjo teknologji është tashmë në zhvillim e sipër për peshq të tjerë, si toni.

“Me akuakulturën qelizore, ne besojmë se mund të prodhojmë vezën që na nevojitet brenda 40 ditëve”, thotë Benning.

“Në një dhomë që është më pak se 300 metra katrorë, ne mund të prodhojmë më shumë havjar se i gjithë prodhimi vjetor global. Nëse mund t’i siguroni produktet, është i njëjti material gjenetik dhe nuk përfshin robërinë ose vrasjen e një kafshe.

Nëse gjithçka shkon sipas planit, Exmoor, e cila po punon me partnerë në Zvicër, Gjermani dhe Europën Lindore, synon të prodhojë haviarin e saj të kultivuar në qeliza në vitin 2023.

Por a do të nënkuptonte kjo fundin e havjarit natyral? Benning nuk mendon kështu. Ai thotë se disa njerëz gjithmonë do të duan të blejnë havjar natyral dhe jo të rritur në laborator.

Burimi: BBC. Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë