Treg

Prodhimi i energjisë u rrit me 8.5% gjatë 3mujorit të parë

Gjatë tremujorit të parë të vitit 2021, energjia në dispozicion u rrit me 8.5%.

Gjatë tremujorit të parë të vitit 2021 energjia e prodhuar rezulton 3.344.097 MWh ,ndërsa në të njëjtën periudhë të një viti më parë ishte 1.545.635 MWh.

Prodhimi neto vendas i energjisë elektrike në këtë periudhë u rrit me 2.2 herë duke arritur vlerën 3.344 GWh nga 1.546 GWh energji të prodhuar në tremujorin e parë të vitit 2020.

56.5% e masës u realizua nga hidrocentralet publike dhe 43.2%  nga privatet dhe koncesionarët. 0.3% ishte energji e rinovueshme.

Importi bruto i energjisë në vend u ul në 99 GWh nga 971 GWh që ishte në të njëjtën periudhe të një viti më parë, duke rënë me 89.2%

Eksporti bruto i energjisë elektrike arriti vlerën 1.147 GWh nga 346 GWh duke shënuar një rritje me 3.3 herë.

Shkëmbimi i energjisë elektrike, që është diferenca mes eksportit dhe importit bruto të energjisë, në tremujorin e parë të vitit 2021, ka pësuar një rritje duke arritur vlerën 1.047 GWh krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2020 ku kishte nje vlerë negative prej 571 GWh.

Situata e përmirësuar energjitike në vend, krahasuar me vitin e shkuar i atribuohet gjendjes së mirë hidrologjike ku hidrocentralet kanë raportuar prurje në sasi të mjaftueshme edhe për të eksportuar. Gjatë 2020-ës, Shqipëria u detyrua të blinte miliona euro energji elektrik sepse situata hidrologjike nuk ishte e mirë dhe prurjet ishin të pakta.

616.751 MWh ishin humbje në rrjet. 1.680.003 MWh konsum i përgjithshëm nga të cilat 892.718 MWh ishin konsum familjar dhe 787.285 konsum jo-familjar.

Përdorimi i energjisë elektrike nga konsumatorët, në tremujorin e parë të vitit 2021, u rrit me 8.8 % duke arritur vlerën 1.680 GWh nga 1.544 GWh që ishte në tremujorin e parë të vitit 2020. Kontributin më të madh në konsum e kanë patur subjektet jo-familje.

Lidhur dhe me zhvillimet financiare në vend, sipas një kambisti në qytetin e Tiranës, që dëshiron të mbetet anonim, pikërisht situata e mirë hidrologjike në vend dhe mungesa e importit të energjisë uli vlerën e euros kundrejt lekut.

“Në blerjen e energjisë hidhet para në sasi të paimagjinueshme. Tërheqja e kësaj shume apo mungesa e hedhjes së saj ndikoi në zhvlerësimin e euros”,-tha ai për gazetën “SI” .


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë