Drejtësia

Procesi i Vettingut drejt fundit/ Raporti i KPK: 768 rivlerësime, mbeten edhe 37 subjekte

Gazeta Si - Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) shënon këtë të hënë 7-vjetorin e konstituimit të tij dhe vitin e fundit të mandatit kushtetues.

Në një raport zyrtar të hartuar nga Komisioni Pavarur i Kualifikimit, evidentohet fakti se nga sistemi i drejtësisë përgjatë 7 viteve u shkarkuan nga detyra 256 gjyqtarë dhe prokurorë, ndërkohë që janë konfirmuar në detyrë vetëm 349 magjistratë.

Aktualisht, sipas KPK janë ende dhe 37 subjekte të vettingut në proces, ndërkohë që ky institucion pritet të mbyllë aktivitetin.

"Më 17 qershor 2017, anëtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë si dhe nën mbikëqyrjen e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) nisën punën për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Ligjin nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, - thuhet në njoftimin e KPK-së.

Gjatë këtyre 7 viteve, 12 anëtarët e Komisionit në bashkëpunim me njësinë ligjore dhe stafin administrativ kanë kryer një proces të cilin nuk e konsideruan vetëm detyrim kushtetues dhe ligjor me synim rikthimin e besimit të publikut te gjyqësori, por edhe  përgjegjësi e lartë personale për të kontribuar në ndërtimin e një sistemi të ri drejtësie, të pavarur e të paanshëm.

Më 8 shkurt 2018, Komisioni në dhomë këshillimi mori vendimin e parë, ndërsa sot, më 17 qershor 2024 numëron në total 768  vendime,  prej të cilave 349 konfirmime në detyrë, 256 vendime për shkarkim nga detyra, 110 vendime për  pushim/ndërprerje procesi, 50 përfundim procesi pa vendim përfundimtar, si dhe 3 vendime për pezullim nga detyra.

Komisionit i kanë mbetur për të rivlerësuar vetëm 37 subjekte duke përmbyllur me sukses listën e plotë prej 805 subjektesh (gjyqtarë, prokurorë, ndihmës/këshilltarë ligjorë).

 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë