Futboll

Procesi FIFA, kërkohen 20 muaj burgim për Blater dhe Platini

Gazeta Si – Ministria publike në Zvicër ka kërkuar në seancë 20 muaj burgim për Sep Blater dhe Mishel Platini. Dy ish-drejtuesit e lartë të futbollit botëror ishin në sallë për t’iu përgjigjur akuzave për mashtrim dhe korrupsion.

Hetimi ka të bëjë me një pagesë prej 2 milionë frangash (plus 229 mijë taksa), që FIFA ia ka kaluar ish-presidentit të UEFA-s, Platini.

Prokurori ka pohuar se te të pandehurit “nuk shihet asnjë shenjë pendimi, ata kanë pasur mundësi të vendosin lirisht në favor apo kundër ligjit”. Dhe kanë zgjedhur hipotezën e dytë “pa asnjë arsye të bazuar”.

Sep Blater dhe Mishel Platini. Gazeta Si, 15 qershor 2022

Blater ka deklaruar gjatë marrjes në pyetje se “ajo shumë ishte detyrim”, pasi Platini kishte bashkëpunuar që nga koha e zgjedhjes së tij në UEFA në 1998-ën.

Francezi ishte këshilltar i FIFA-s për një pagesë prej 1 milion frangash në vit. Problemi, sipas Prokurorisë, është se nuk ka gjurmë në asnjë protokoll të FIFA-s për kryerjen e transaksionit në 2011-ën.

Për këtë arsye Blater dhe Platini janë aktualisht nën hetim. Prokuroria nuk ka mundur të rindërtojë skemën se si është arritur në llogarinë e 2 milionë frangave, sepse arsyet e dhëna nga Blater nuk ishin shumë të qarta.

Ish-presidenti i FIFA-s ka shpjeguar se ka kaluar më pak se 1 milion euro në vit, për shkak të vështirësive financiare të vetë institucionit. Një variant i hedhur poshtë nga Prokurori, sepse FIFA në fakt e ka pasur arkën plot. Madje, rezervat e saj në 2002-shin kapnin shifrën e 327 milionëve.

Pyetjes për autorizimin e munguar të federatës, Blater nuk iu përgjigj. Ai tha: “FIFA nuk më përgjigjet që prej 2016-ës, ndaj do të bëj të njëjtën gjë”.

Kurse Platini është shprehur: “Ajo që FIFA më ka bërë mua dhe ish-presidentit të saj është një skandal. E vërteta do të dalë në shesh, drejtësia do të triumfojë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë