Futboll

Problemi historik i numrit 9, Italia në kërkim të golave para Europianit

Gazeta Si – Dikush mund të festojë, sepse shënojnë të gjithë. Futbolli është ‘total’, por nuk është e njëjta gjë, sepse duhet patjetër një qendërsulmues.

Lipi fitoi një Botëror me Materacin golashënues. Italia e Spaletit, kundërshtar i Shqipërisë në grup në Europian, ka shënuar 12 gola me 9 lojtarë të ndryshëm, të kryesuar nga Fratezi, mesfushori që ka shënuar 3 gola. ‘Axurrët’ nuk janë më një vend për numra 9, nuk kanë asnjë lojtar që të krahasohet me Haland, Kejn, Levandovskin dhe Osimhen e Vlahoviç.

Retegui, sulmusi kryesor i Italise

Në miqësoret amerikane Spaletit i duhet të bërë prova për të gjetur alternativat më të mira. Janë mundësitë e fundit para Europianit. Imobile nuk është grumbulluar, Skamaka nuk është sjellë mirë, kështu që është momenti për Reteguin, Raspadorin dhe të riun Luka.

Nuk përjashtohen mundësitë e tjera, as falja e Skamakës, apo Kean, që papritur mund të luajë dhe të shënojë. Amerika është prova e numrit 9 për Italinë dhe trajneri i kuqezinjve, Silvinjo, me siguri do të mbajë shënime, duke parë në fushë kundërshtarin e parë të Gjermani 2024.

Spaleti pritet ta nisë me Mateo Retegui, italo-argjentinasin e grumbulluar më parë nga Roberto Mançini, që kishte të njëjtin problem me sulmin. Nuk është një lojtar teknik, por është finalizues në zonë, i fortë me kokë. Po mësohet që të marrë më shumë pjesë në manovrën sulmuese dhe kjo është pozitive për Spaletin.

Numri 9 është një problem historik për Italinë. Ka pasur Paolo Rosin në Botërorin e 1982-shit, pastaj edhe sulmues të mirë si Vieri dhe Toni, por rekordi i Xhixhi Rivës, me 35 gola, reziston prej 30 tetorit 1973, më shumë se ai i Meneas në 200 metra.

Xhakomo Raspadori

Për Spaletin, Skamaka është prototipi ideal i numrit 9, një kombinim teknike, fiziku dhe taktike. Prandaj dhe zhgënjimi ka qenë i dyfishtë. Trajneri ka parë pak grintë te ky lojtar, që mbrëmjen para Ukrainë-Itali ishte stërvitur para kompjuterit, duke tërbuar Spaletin. Edhe Kean kishte numra për kombëtaren, pasi vrapon dhe bën presing, por është zhdukur nga radarët.

Përveç Reteguit, trajneri Spaleti po sheh me përparësi Xhakomo Raspadorin dhe Lorenco Lukën, me këtë të fundit që më shumë bën rolin e ‘torrës’.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë