Nga Gazeta ‘Si’- Ndërsa kanë mbetur edhe pak ditë nga 11 maji, Partia Demokratike ka paraqitur sërish një ankesë në KQZ lidhur me problematikat që janë hasur me votuesit në Greqi.
Në kërkesë thuhet se ndryshimi i befasishëm në tërheqjen individuale të zarfeve pranë DHL ka ngritur shqetësime serioze mbi transparencën, standardin dhe ligjshmërinë e procesit të votimit.
“Autoritetet zgjedhore garantuan publikisht se çdo zarf me votë do të dorëzohej në adresën e deklaruar të votuesi në PEL, përmes një shërbimi postar të drejtpërdrejt. Por papritur KQZ ndryshoi qasje. Përmes një njoftimi të thjeshtë në rrjetet sociale të KQZ, votuesit shqiptarë në Greqi duhet të paraqiteshin personalisht pranë pikave të DHL-së, për të tërhequr ose dorëzuar zarfin e votimit”, thuhet në kërkesën e PD-ASHM
Sipas PD-së ky ndryshim i befasishëm bie ndesh me rregullat dhe deklaratat e mëparshme të KQZ-së.
Në kërkesën që mban datën e djeshme, 4 maj, thuhet gjithashtu se vetëm një javë para ditës së zgjedhjeve janë raportuar nga KQZ mbi 6 mijë zarfe të ardhura nga Greqia, ndërkohë që për disa javë më parë numri total i tyre ishte 17 700.
Sipas PD-së ky fluks i pazakontë përforcon dyshimet mbi integritetin e procesit.
Në këto kushte PD kërkon ndërhyrjen e menjëhershme të KQZ-së për kthimin në ligjshmëri të procesit të votimit dhe administrimit të votës në shtetin grek, duke garantuar rregullshmëri, siguri dhe besueshmëri për çdo votë të shqiptarëve që jetojnë në Greqi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.