“Llogaritë do t’i bëj të martën”, – tha trajneri i Kombëtares, Edi Reja, në konferencën për shtyp të së shtunës, pasi shpalli listën zyrtare të lojtarëve të grumbulluar. Ai e ka të qartë se situata aktuale mund ta privojë nga lojtarë të rëndësishëm për dy ndeshjet e fundit në grup të Ligës së Kombeve me Kazakistanin dhe Bjellorusinë.
Kishte parasysh faktin se mund të mungojnë Gjasula, Trashi dhe veçanërisht lojtarët që luajnë në Itali, sepse klubet mund të mos i lejojnë të grumbullohen me Kombëtaren. Dhe i pari që mund të fshihet nga lista është Marash Kumbulla, edhe pse deri tani nuk ka asgjë zyrtare. Duke iu referuar asaj që shkruan shtypi italian, sipas protokollit të autoriteteve shëndetësore, lojtarët e Romës duhet të qëndrojnë 10 ditë të izoluar, pasi sulmuesi Edin Xheko ka rezultuar pozitiv.

Nëse gjithçka konfirmohet, për trajnerin Reja do të jetë një mungesë e madhe ajo e Kumbullës, titullar në dy ndeshjet e fundit në transfertë me Kazakistanin dhe Lituaninë. Situata për prapavijën kuqezi bëhet edhe më shqetësuese, po të kemi parasysh se mungojnë për shkak dëmtimi edhe Kastriot Dermaku dhe Enea Mihaj. Për qendrën e mbrojtjes mbeten të disponueshëm Gjimshiti, Veseli, Ismajli dhe i riu Çepele. Kthehet kapiteni Hysaj, ndërkohë që jashtë liste këtë herë ka mbetur Lenjani.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




