Nga Gazeta ‘SI’ – 4.500 mjete me moshë 22-vjeçare janë çregjistruar nga kontrolli teknik në vend, duke i nxjerrë ato nga qarkullimi përfundimisht.
Raporti i Drejtorisë së Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor për periudhën janar-shtator 2023, tregon se në total 186.174 mjete iu nënshtruan kontrollit teknik. Rreth 32% janë refuzuar ose kanë ngelur në test, përkthyer në 58.698 mjete, që do të thotë do të rifuten përsëri nën kolaudim. Ndërkohë, si arsye kryesore të refuzimeve renditen: defekti vizual, sistemi i shkarkimit të gazrave, sistemi i drejtimit dhe sistemi i frenimit.
Sipas tipit të tyre ku rezulton se janë paraqitur për testim rreth 147 mijë automjete, 21 mijë kamionë, 9 mijë motomjete, 5 mijë autobusë, 4 mijë rimorkio dhe 750 mjete ndërtimi. Sipas llogaritjeve konstatohet se peshën më të madhe e zënë kategoritë “Automjete” dhe “Kamion” përkatësisht me 79.1% dhe 11.1%.
Të ndara me qarqe, 34% e testimeve janë realizuar në Tiranë, më pas renditet Durrësi me 13.6%, Fieri me 10% dhe Shkodra me 7%. Ndërkohë më pak testime janë kryer në qarkun e Kukësit , Gjirokastrës dhe Dibrës përkatësisht 2.4%, 2.2% dhe 1.9%.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




