Shendet

Probiotikët, “trendi” i ri për përdorim vaginal

Gazeta “Si“- Irena vuan thuajse prej dy vitesh nga infeksione të përsëritura vaginale. Ajo shprehet se ka provuar shumë mënyra trajtimi dhe ka ndërruar disa mjekë për të zgjidhur problemin e saj. Por nuk po arrin të marrë rezultatin e pritur.
Së fundi, ajo i është drejtuar një mënyre më individuale trajtimi. Për të Irena ka lexuar edhe në rrjete sociale dhe në internet: nga probiotikët.
“Lexova se mund të kenë ndikim shumë të madh në përmirësimin e florës bakteriale të vaginës. Kështu që thashë të provoj këtë mënyrë”, pohon ajo.
Irena shpjegon se ka blerë në farmaci 10 ovuala probiotike për përdorim vaginal. Ajo shton se ka filluar të tregohet e kujdesshme edhe me mënyrën se si ushqehet. Kështu në dietën e saj të përditshme nuk mungojnë ushqime të pasura me probiotikë, siç është kosi.
Në disa farmaci të Tiranës pohojnë se janë shtuar kërkesat për probiotikë, e sidomos për probiotikët vaginalë.

Foto ilustruese-Ushqime që përmbajnë probiotikë-Marrë nga interneti. 13.05.2022.

Por sa të efektshme janë të tilla mënyra për trajtimin apo parandalimin e shqetësimeve vaginale?

Shkencëtarët pohojnë se vagina është një strehë për bakteret, që ekzistojnë në një ekuilibër delikat. Nga këto baktere, mbi 70% janë shtame ndihmëse të laktobacileve.
Këto baktere ruajnë pH-në e vaginës, duke e mbajtur atë nën 4.5. Një gjendje të tillë mund të luftojë infeksionet e baktereve të këqija ose kërpudhave.
Por ekuilibri bakterial mund të prishet nga shumë faktorë, si; kryerja e marrëdhënieve seksuale të pambrojtura, përdorimi i sapunëve apo larësve me aroma për të pastruar vaginën, nga dushet vaginale etj.

Ky çekuilibër shkakton një sërë shqetësimesh (si për shembull vaginoza bakteriale). Ndërkaq, probiotikët mund të ndihmojnë në trajtimin e tyre.
“Në këto raste ajo çfarë rëndom përshkruhet në receta nga mjekët janë antibiotikët”, pohon Anisa, një farmaciste në Tiranë.
Megjithatë, ajo pohon se antibiotikët shpesh shtojnë rezistencën e baktereve. Nga ana tjetër, këta antibiotikë vrasin njëkohësisht, si bakteret e këqija edhe ato të mira.
“Probiotikët mund të ndihmojnë duke ndihmuar në rivendosjen e ekuilibrit të baktereve të mira vaginale, por vetëm nëse probiotiku përmban shtame të veçanta që gjenden në vaginë tuaj, si L. crispatus”, pohojnë nga ana tjetër mjekët.
Në një studim të vitit 2020, gratë që kishin përfunduar së fundmi trajtimin me antibiotikë për BV morën probiotikë vaginalë të L. crispatus (Lactin-V) dy herë në javë.
Pas 12 javësh, gratë që morën trajtimin me probiotikë kishin 15% më pak të ngjarë të kishin një përsëritje të BV, krahasuar me ata që nuk morën trajtim.
Megjithatë, mjekët pohojnë se akoma nuk ka asgjë të provuar shkencërisht për efektshmërinë e probiotikëve në shëndetin e vaginës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë