Analize

Pro apo kundër Macron? BE diskuton modelin francez për negociatat

Ministrat e jashtëm të Bashkimit Europian janë mbledhur sot në Bruksel për të diskutuar për herë të parë propozimin francez për reformimin e politikës së zgjerimit, e cila mund të ndryshojë plotësisht rregullat e anëtarësimit të Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perendimor.

Modeli i paraqitur nga presidenti francez, Emmanuel Macron i cili zëvendëson 35 kapitujt e anëtarësimit me 7 faza, pritet të jetë kryefjala e takimit të Këshillit të BE-së, pasi disa vende anëtare kanë dalë tanimë kundër propozimit francez.

Gazeta "Si" mëson se përveç vendeve anëtare, ky propozim i është dërguar edhe Tiranës zyrtare si edhe vendeve të tjera të rajonit. Ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashmte i Gent Cakaj tha gazetës të martën se për aq kohë sa ky propozim nuk është miratuar nga BE-ja, qeveria shqiptare nuk mund të dalë me një qëndrim zyrtar. Ai thotë së modeli francez bën në një farë mënyre një riorganizim të 35 kapitujve në shtazë faza, por mbetet për tu parë nëse do të bëjë të mundur përshpejtimin e anëtarësimit në BE.

“Deri më tani nuk ka një vendim zyrtar, por Shqipëria mbetet e hapur ndaj këtyre propozimeve për aq kohë sa nuk zëvendësojnë integrimin në BE. Risia është se nëse plotëson kushtet për një sektor të caktuar, për shembull peshkimi, bëhesh pjesë e strukturave të BE-së për peshkimin, duke marrë kështu edhe fonde për këtë sektor”, i tha Cakaj Gazetës "Si".

Reagimet për këtë model të ri negociatash nuk kanë munguar as nga vendet anëtare. Qeveria gjermane ka njoftuar sot se është e hapur për ta diskutuar propozimin, por kërkon që ai të mos ketë ndikim mbi çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Ministri Gent Cakaj, Gaeta Si, nentor 2019

Pak para takimit të ministrave të jashtëm të BE-së, të martën në Bruksel, Ministria e Jashtme gjermane është shprehur se reforma e zgjerimit të BE-së nuk duhet të vonojë çeljen e negociatave.

"I njohim sugjerimet e qeverisë franceze për reformën e zgjerimit të BE-së. Ne jemi të hapur për të diskutuar për përmirësimin e procedurave te zgjerimit për sa kohë që kjo nuk vonon çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut" thuhet në përgjigjen e ministrisë së Jashtme për DW.

Në Bruksel ministrat e jashtëm do të diskutojnë për çështjen e zgjerimit dhe hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, e cila do të jetë pika e fundit në rendin e ditës.

“Ky do të jetë vetëm hapi i parë për rinovimin e politikës së zgjerimit, si ngjallje e besimit midis shteteve anëtare të BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor,” thanë burimet e Këshillit të BE-së.

Gjatë këtij takimi, Ministrja e Jashtme franceze, Amelie de Montchalin do të paraqesë zyrtarisht propozimet e Parisit për ndryshimin e metodologjisë së zgjerimit, duke kërkuar hapjen e fondeve strukturore të BE-së për vendet kandidate, por edhe për një politikë më të rreptë për përmbushjen e kushteve.

Në Bruksel thonë se propozimi francez pritet të ngjallë diskutime të ashpra pasi duhet konsensusi i të gjitha shteteve anëtare.

Ishin pikërisht vendet anëtare të Grupit të Vishegradit, si dhe Austria dhe Italia, që kërkuan që çështja e zgjerimit të vihet në agjendën e BE-së sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë qe unioni të ripërcaktojnë sa më shpejt rrugën e Ballkanit Perëndimor.

Kancelarja Merkel dhe kryeministrat Edi Rama dhe Zoran Zaev. Gazeta Si 2019

Në dokumentin jozyrtar (nonpaper) Franca propozon që për të kaluar nga njëra etapë në tjetrën, vendi kandidat do të duhet të plotësojë një grup kushtesh, ndër të cilat për shembull i pari është implementimi i ligjeve për ambientin dhe ndër të fundit është integrimi ekonomik.

Dusan Reljic, drejtori i zyrës së Brukselit në Fondacionin Gjerman të Shkencës dhe Politikës (SËP), beson para së gjithash se një dokument i politikës së jashtme, i lëshuar nga Pallati Elysee për zyrtarët e BE-së është një përpjekje për të minimizuar dëmet e shkaktuara nga refuzimi për të dhënë dritën e gjelbër në bisedimet e pranimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

"Natyrisht, Parisi është i befasuar nga kritikat e ashpra për frenimin e procesit të zgjerimit. Kritikat erdhën nga të gjitha anët dhe shumica e tyre e quajtën "gabim katastrofik" - tha Reljic për DW. Reljiç mendon se dokumenti heq gjënë më të rëndësishme në rastin e Ballkanit Perëndimor: zhvillimin ekonomik.

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas e bëri shumë të qartë në vizitën e tij në Shkup javën e kaluar, se ka një mospajtim mes Parisit dhe Berlinit, duke e quajtur shtyrjen e hapjes së bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veritut "gabimin më të madh të BE".

Në raundin e parë të madh të zgjerimit të BE, para 15 vjetësh, ishte Franca ajo që kërkonte, që edhe Rumania dhe Bullgaria të bëhen sa më shpejt pjesë e BE-së. Ishin vende të tjera ato që kishin rezerva në atë kohë dhe vetëm pasi më vonë u pa, se tek të dyja vendet u bënë hapa prapa në drejtim të shtetit ligjor dhe korrupsionit, ndërroi edhe qëndrimi i opinionit publik.

Megjithatë ekspertet e BE-së shikojnë disa pika pozitive në propozimet franceze, veçanërisht ku bëhet fjalë për të mundësuar ndihma nga fondet strukturore për vendet kandidate që para anëtarësimit, pasi disa nga këto propozime franceze janë të zbatueshme brenda rregullave ekzistuese.

Drejtuesi i Nismës Europiane të Stabilitetit, Gerald Knaus mbështet faktin që synohet anëtarësimi i plotë i kandidatëve, duke i ndihmuar nëpërmjet fondeve.

Knaus propozon që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshi edhe Kosovën dhe Bosnjë-Hercegovinën, mund të fillojnë bisedimet të tëra së bashku, si bllok. Dhe pastaj, në varësi të performancës që do të arrijnë, ato mund të anëtarësohen në fund. Aty pastaj do të duhet të bëhet edhe një debat, se a është gati ende BE-ja për anëtarë të rinj apo jo?


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë