Teater

‘PrizrenFest’ për herë të parë në Kosovë, regjisorja Dervishi: Një hap pozitiv shkëmbimi kulturor

Nga Gazeta Si - Për herë të parë në Kosovë mbahet festivali ndërkombëtar i teatrit në ambient të hapur.

I quajtur “PrizrenFest” për shkak edhe të vendit ku do të mbahet, ky festival do të sjellë trupa të teatrove të ndryshme ndërkombëtare, deri në datën 4 gusht. Pjesëmarrësit do të jenë nga Bosnja-Hercegovina, Turqia, Italia, Rumania, Maqedonia e Veriut Franca, por edhe nga Shqipëria.

Në këtë event artistik, Shqipëria do të përfaqësohet nga teatri i Durrësit “Aleksandër Moisiu”, me një ndër komeditë më të bukura të Shekspirit, përshtatur dhe vënë në skenë nga regjisorja Driada Dervishi.

“Ne jemi të ftuar për të marrë pjesë me komedinë ‘Ëndrra e një nate vere’, të cilën e dhamë në Amfiteatrin e Durrësit gjatë muajit qershor. Mendoj që është një mundësi shumë e bukur për të rikthyer vëmendjen te teatri, edhe gjatë muajve të verës. Me këtë festival, mund të thyhet ky paragjykimi që zakonisht ekziston në Shqipëri që gjatë muajve të verës të bëjmë një pushim total e të mos ketë aktivitete kulturore, në këtë rast teatri, ndërkohë që ne e dimë që në shumë vende të botës zhvillohen festivale shumë të rëndësishme teatri siç është ‘Vera e Ohrit’, apo edhe festivale të tjera teatrore”, shprehet regjisorja Driada Dervishi për Gazetën “Si”.

Regjisorja Dervishi e shikon këtë festival të teatrit të hapur si një hap pozitiv për të gjithë rajonin.

“Është një gjetje shumë e bukur që bëhet në qytetin e Prizrenit dhe është edicioni i parë. Unë besoj që do të jetë një festival afatgjatë, pra që do të kthehet në traditë. Jemi shumë të lumtur që pikërisht nga Shqipëria shkon një nga komeditë më të bukura të Shekspirit”, vijon regjisorja për Gazetën "Si".

Festivali “PrizrenFest” do të mbahet në vendet më të bukura të trashëgimisë së Prizrenit si: Kino Lumbardhi, Kalaja e Prizrenit, Lidhja e Prizrenit, Kino Plato dhe Sheshi i lidhjes së Prizrenit.

Natën e parë, mbrëmjen e 31 korrikut, nisi në KINO LUMBARDHI ku u prezantua Teatri Kombëtar i Sarajevës me shfaqjen “To nikad nigdje nije bilo”(kjo kurrë e askund s’ka ndodh) nga regjisori i njohur Dino Mustafic.

Nata e parë e "PrizrenFest"

Me këtë shfaqje, Teatri Kombëtar i Sarajevës, kremton 100-vjetorin e ekzistencës së tij dhe kujton shumë nga ditët e tij të lumtura dhe jo të lumtura, njerëzit dhe fatet e panumërta që e shënuan gjatë gjithë asaj kohe.

Ndërkohë, trupa e teatrit të Durrësit, do të performojë më 4 gusht, në sheshin e Lidhjes së Prizrenit.

“Jemi shumë të nderuar dhe po aq shumë me përgjegjësi që trupa jonë do të mbyllë festivalin dhe ky është një emocion i veçantë”, shprehet regjisorja.

Për të fakti që festivali po mbahet në Kosovë, mund të konceptohet edhe si një zgjerim i publikut teatror dhe njohje e njëkohësisht përballje e aktorëve shqiptarë dhe kosovarë.

“Shfaqjet e regjisorëve kosovarë në Shqipëri janë shumë më të shpeshta sesa shfaqjet tona atje, kështu që unë e shikoj këtë si një hap shumë pozitiv edhe shkëmbimi kulturor”, përfundon regjisorja për Gazetën “Si”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë