Politike

Pritshmëritë, Rama: Negociatat! Thaçi! Vizat, dialogun e hap vetëm SHBA

Kryeministri Edi Rama e fshehu entuziazmin për Samitin e Berlinit dhe pritshmëria e tij është konfirmimi i progresit të bërë nga Shqipëria në rrugën e integrimit europian, përmes hapit të radhës që është hapja e negociatave.

“Për sa na takon, ne do të fokusohemi tek ecuria e Shqipërisë në procesin e integrimit europian dhe padyshim tek domosdoshmëria për të afirmuar se Shqipëria meriton të hedhë hapin e madh dhe të shumëpritur të negociatave për anëtarësim”, deklaroi ai për Top Channel.

Një prej çështjeve kryesore të samitit është dialogu Serbi-Kosovë. Rama përsëriti qëndrimin e Shqipërisë se Tirana zyrtare do të mbështesë çdo ujdi pas të cilës qëndron edhe mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Europian.

Por, Presidenti Hashim Thaçi nuk sheh dritë në fund të tunelit. Ai foli për pritshmëri të ulta nga ky samit dhe suksesin në dialogun me Serbinë e lidh vetëm me një kusht.

“Do të jetë një takim rutinë dhe nuk pres që do të ketë dialog dhe hapjen e një mundësie për negociata me Serbinë. Negociatat me Serbinë hapen vetëma atëherë kur SHBA të udhëheqin procesin”, u shpreh ai po për Top Channel.

Presidenti Thaçi vlerësoi si zhgënjyese nëse nga ky takim Kosovës nuk i hapet drita jeshile për liberalizimin e vizave.

Para nisjes së samitit, Presidenti i Kosovës u takua me Përfaqësuesen për Politikë të Jashtme të BE-së, Federica Mogherini. Në një postim në rrjetet sociale, Hashim Thaçi shpreh gatishmërinë e Prishtinës për të rinisur dialogun.

“Kjo marrëveshje do t’i sillte edhe më shumë paqe e stabilitet rajonit dhe Europës. E kemi përkrahjen e Bashkimit Europian, SHBA-së dhe tërë botës për ta arritur një marrëveshje paqësore, përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse me Serbinë. Ne jemi të gatshëm të rifillojmë dialogun në Bruksel”, shkruan ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë