Nga Gazeta ‘SI’ – Ngordhja e rreth 100 mijë shpendëve në dy pularitë më të mëdha të vendit, ka prekur edhe konsumatorët.
Në një monitorim të Gazetasi.al në disa supermarkete dhe markete të kryeqytetit vërehet mungesa e vezëve vendase dhe furnizimeve të reja. Pakot e vezëve që gjendeshin në raftet mbanin datën e janarit të këtij viti ose edhe fundit të vitit të shkuar, duke treguar mungesën e furnizimeve të reja.



Përveç mungesës së vezëve, qytetarët po ballafaqohen me çmime më të larta të tyre. Në minimarkete dhe dyqane të ngjashme, një kokërr vezë po shitet 25% më shtrenjtë se para gripit të shpendëve, 25 lekë për një vezë.
Në një moment delikat për tregun, kompanitë po i drejtohen importit.
Eksperti i argrikulturës, Ilir Pilku thotë se prej disa ditësh në Shqipëri po futen sasi të mëdha vezësh të importuara, për shkak se prodhimi i brendshëm nuk e përballon dot më kërkesën e brendshme. Sipas Pilkut, vezët e importuara do t’i kushtojnë shqiptarëve 30% më shumë.
Një parashikim të ngjashëm bën dhe zinxhiri i supermarketeve Big Market.
Në një komunikim me Gazetasi.al, Klaudja Karabolli, shefe e marketingut në Big Market, çmimi i vezëve mund të rritet me 10-15% në muajt e ardhshëm, në varësi të situatës.
“Gripi i shpendëve ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve të vezëve. Fillimisht Reas rriti çmimet, më pas Aiba dhe prodhues të tjerë. Nëse situata e gripit të shpendëve përkeqësohet më tej, është e mundur që çmimet e vezëve në Shqipëri të rriten edhe më shumë, ndoshta me 10-15% në muajt e ardhshëm. Megjithatë, duhet pritur për të parë si do të zhvillohet situata”, shpjegon Karabolli.
Ajo konfirmon se tregu po përballet me mungesën e vezëve duke theksuar se momentalisht kompanitë vendase kanë një prodhim të kufizuar.
“Po, tregu aktualisht po përballet me mungesë të vezëve. Prodhuesit kryesorë vendas, si Ovvital dhe Beata, nuk kanë prodhim, ndërsa Reas ka një sasi të kufizuar dhe po mbështetet në import. Aiba ka ende njëfarë prodhimi, por edhe ata po importojnë për të plotësuar kërkesën. Gjithashtu, prodhuesit më të vegjël po shesin më shpejt produktet e tyre, por ekziston njëfarë skepticizmi nga konsumatorët lidhur me sigurinë ushqimore të këtyre vezëve”, sqaron përfaqësuesja e Big Market.
Karabolli thotë se rritja e çmimit të vezëve deri në 22 lekë, ka nxitur pakënaqësi nga konsumatorët të cilët janë drejtuar drejt blerjeve me koli për të siguruar furnizim me çmime më të favorshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.