Shendet

Pritet piku i gripit, çfarë të hani për të mbrojtur sistemin imunitar nga infektimi

Nga Gazeta Si- Aktualisht në Shqipëri po qarkullojnë disa viroza respiratore dhe sipas mjekëve, pritet që epidemia e gripit të arrijë kulmin në javën e parë dhe të dytë të shkurtit, duke kaluar mbi 20 mijë raste me grip në javë.

Në këto kushte, është e rëndësishme që qytetarët të parandalojnë çdo lloj infektimi, ku dy mënyra janë vaksinimi dhe ushqyerja e shëndetshme.

Mjekja e familjes Xhentiljana Nazaj pranë Qendrës Shëndetësore Nr.10 thotë se ka një rritje të numrit të pacientëve që paraqiten me simptomat e virozave të gripit stinor gjatë këtij muaji.

Mjekja nënvizon se ata që e kanë bërë rregullisht vaksinën e kalojnë virozën më lehtë dhe pa komplikacione.

“Përveç respektimit të kushteve të higjienës, shmangia e ekspozimit në ambiente të mbyllura me shumë persona, ushqimi i shëndetshëm, faktori më i rëndësishëm mbrojtës është vaksinimi nga gripi stinor. Ne i ofrojmë vaksinat e gripit në qendrat tona shëndetësore dhe vazhdojmë t’i aplikojmë. Vihet re që pacientët që e kanë kryer rregullisht vaksinën e gripit, e kalojnë më lehtë virozën e stinës me simptoma më te lehta dhe pa komplikacione”, thotë mjekja.

Gripi mund të përhapet shpejt kur një person i infektuar kollitet ose teshtin, duke lëshuar pika të virusit në ajër. Mund të përhapet edhe nga duar të kontaminuara me virusin.

Përpos rekomandimeve si larja e duarve shpesh, shmangia e ambienteve të mbyllura, shmangia e takimit të ngushtë me personat me grip, ajrosja e ambientit ku po qëndroni, një rol të madh ka edhe ushqimi që konsumoni këto kohë.

Si mund ta ndihmoni trupin tuaj të mbrojë veten?

Mjekja mikrobiologë Blerta Brati thotë për Gazetasi.al se ushqimi duhet të sigurojë lëndë ushqyese për sistemin imunitar, ku një rëndësi të madhe ka vitamina D sepse rregullon veprimin e makrofagëve, prodhimin e citokinave dhe shkakton aktivizimin e limfociteve CD4.

Gjithashtu, kontributi i zinkut, një antiviral i fuqishëm, është thelbësor, si dhe raporti midis acideve yndyrore anti-inflamatore omega 3 dhe omega 6 pro-inflamatore, të cilat rregullojnë ‘kursorin’ e reagimit imunitar.

Dhe në pjatë?

Rekomandimet e Shëndetit Publik përfshijnë pesë fruta dhe perime në ditë, për vitamina dhe fibra, peshk yndyror një herë në javë për marrjen e omega 3 dhe zink, bishtajore për fibra dhe fruta me lëvore te pasura me omega 3 dhe 6, vitaminë E, zink dhe fibra.

Nëse mjedisi acid i stomakut shkatërron patogjenët, veprimi i sistemit imunitar është më i rëndësishmi në zorrët, pasi këtu shumica e lëndëve ushqyese transferohen në qarkullimin e gjakut.

“Zorrët përmbajnë 60% të qelizave tona imune, për të absorbuar mikrobet para se të kalojnë nëpër murin e zorrëve dhe të kolonizojnë trupin. Prandaj, mikrobiota luan një rol themelor. Së pari, falë “efektit pengesë”: duke konkurruar me patogjenët dhe duke iu përmbajtur mukozës së zorrëve, bakteret “miqësore” parandalojnë bakteret e rrezikshme të kalojnë nëpër të”, shpjegon mjekja.

Prandaj lind nevoja për të ruajtur diversitetin e mikrobiotës duke ngrënë ushqime të pasura me fibra (fruta dhe perime, drithëra, etj.), në vend të produkteve të përpunuara, aditivët e të cilëve janë të dëmshëm për florën e zorrëve.

“Një sistem imunitar i mirë është garantuesi i një aftësie të mirë të trupit për të mbrojtur veten kundër kërcënimeve të mundshme ndaj është e nevojshme të jeni të kujdesshëm që të mos keni një mangësi imune”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë