Ne rrjet

‘Prishtina, Zagrebi e Tirana lidhën aleancë kundër Serbisë’, Vuçiç: Do blejmë armë kineze

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha të mërkurën se pjesëmarrjen e tij në paradën ushtarake në Pekin e shfrytëzoi për të parë se “çfarë do të ishte me interes për t’u blerë për nevojat e ushtrisë serbe, në mënyrë që ajo të jetë një faktor parandalues ndaj çdo agresori të mundshëm nga fqinjësia”.

“Nuk është rastësi që Prishtina, Zagrebi dhe Tirana formuan një aleancë ushtarake. Dhe, ata nuk e bënë atë për shkak të Austrisë, Hungarisë apo Sllovenisë, por për shkak të Serbisë. Ata e bënë kundër Serbisë”, tha Vuçiç për gazetarët në Pekin.

Ai theksoi se Serbia “nuk do ta prekë askënd”, por se po e forcon ushtrinë e saj për të “ruajtur integritetin territorial”.

Kosova, Shqipëria dhe Kroacia, nënshkruan më 18 mars një deklaratë në Tiranë, përmes së cilës vendet angazhohen që të forcojnë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

Qeveria kroate bëri të ditur për Radion Europa e Lirë se deklarata e tri shteteve nuk synon krijimin e ndonjë aleance ushtarake.

Duke folur për paradën ushtarake të ushtrisë kineze dhe blerjen e mundshme të armatimeve nga ajo, Vuçiç tha se Serbia nuk është e interesuar për raketat balistike dhe hipersonike kineze, por se Kina ka avionë shumëfunksionalë të nivelit të lartë dhe helikopterë modernë.

Lideri serb u tha gazetarëve në Pekin se pati takime me përfaqësues të 11 kompanive, me të cilët bisedoi edhe për prezantimin dhe përdorimin e makinave fluturuese në Serbi.

“Kompanitë janë nga fusha të ndryshme. Përdorimi i inteligjencës artificiale do të ketë shumë rëndësi për ne në të ardhmen”, tha Vuçiç.

Ai shtoi se gjatë vizitës në Kinë është takuar me 12 liderë botërorë, përfshirë presidentin e Azerbajxhanit Ilham Alijev, presidentin e Indonezisë Prabovo Subjanto dhe kryeministrin e Sllovakisë, Robert Fico./REL/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë