Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ishte i pranishëm mbrëmjen e sotme në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi” të Shokodrës, ku ndoqi nga afër ndeshjen e Superkupës Mbarëkombëtare mes Vllaznisë dhe Prishtinës në basketboll për meshkuj. Prania e tij, bashkë me politikanë të tjerë shqiptarë dhe kosovarë, si Mimoza Kusari Lila, Evis Kushi, Voltana Ademi e të tjerë, e ka ndezur mjaft atmosferën.

Kurti foli shkurtimisht para ndeshjes, kur u shpreh: “Është kënaqësi të jem sot në Shkodër për të parë ndeshjen mes Vllaznisë dhe Prishtinës. Është më pak se një ndeshje, sepse jemi bashkë, por është edhe më shumë se një lojë, sepse jemi bashkë. Te kjo fushë e bashkimit tonë, populli është para politikës, kështu që le të ndjekim vullnetin e qytetarëve tanë”.
Presidenti i ekipit shkodran, Alban Xhaferi, i ka dhuruar kryeministrit Albin Kurti fanellën me numër 10 të Vllaznisë. Kreu i qeverisë së Kosovës është përshëndetur nga tifozët, të cilët kanë bërë foto me të.
Kurti ishte me fat për Prishtinën që mundi 80-72 Vllazninë dhe në finalen e Superkupës Mbarëkombëtare do të ndeshet me Yllin, që eliminoi Teutën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




