Gjykata Kushtetuese ka pranuar pjesërisht kërkesat e presidentit Ilir Meta për të konsideruar në kundërshtim me kushtetutën aktet që çuan shembjen e Teatrit të ri Kombëtar .
Zoti Meta kishte kërkuar që të shfuqizohej ligji nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”” (ligji nr. 37/2018), si i papajtueshëm me Kushtetutën dhe me marrëveshjet ndërkombëtare.
Këtë kërkesë Gjykata kushtetuese e ka pranuar duke e konsideruar antikushtetuese procesin. Por ky vendim tanimë nuk ka efekt, sepse prej kohësh Bashkia e Tiranës hoqi dorë nga forma e koncesionit dhe vendosi ta ndërtojë me buxhetin e saj.
Por para se Bashkia të ndërtonte teatrin e ri, duhej shembur i vjetri dhe përpara shembjes kërkohej pronësia mbi të.
Gjykata Kushtetuese vendosi sot se akti i kalimit të pronësisë nga qeveria tek Bashkia është antikushtetuese.
Edhe kjo ishte një kërkesë e presidentit Meta.
Por këtu shtrohet pyetja: A ishte antikushtetues prishja e godinës së vjetër të teatrit kombëtar?
Këtu Gjykata Kushtetuese nuk arriti të marrë vendim, se siç shprehet ajo në faqen e vet zyrtare., nuk ka patur korumin e nevojshëm të 5 votave.
Pra jemi në situatë kur Gjykata është në kushtet e paaftësisë për të marrë vendim merite, megjithëse sipas juristëve ky është një rast kur vetë Gjykata Kushtetuese “shkel të drejtën e aksesit në gjykatë, shkakton cënim të së drejtës për një proces të rregullt ligjor ( rasti Marini kundër Shqipërisë në Strasburg)
Pra, praktikisht Gjykata Kushtetuese as që nuk i është futur gjykimit në themel të çështjes duke e rrëzuar kërkesën e presidentit për shfuqizim të vendimit të këshillit bashkiak për prishjen.
Pra në këtë pikë nuk fitoi as Ilir Meta e as Erjon Veliaj sepse nuk kemi shprehje të gjykatës ishte apo jo antikushtetuese shembja e godinës .
Megjithatë ajo argumenton se me shkatërrimin e teatrit është cenuar e drejta kushtetues se ligji nr. 37/2018 nga ku nis zanafilla e për shembjen e teatrit kombëtar është antikushtetuese sepse cenon:
“Lirinë e veprimtarisë ekonomike të sanksionuar nga neni 11 i Kushtetutës në raport me nenin 17 të saj;
Parimin e shtetit të së drejtës të sanksionuar në nenin 4 të Kushtetutës në raport me nenin 3 të saj, në drejtim të procesit të vlerësimit të identitetit dhe të trashëgimisë kombëtare nga institucionet përkatëse;
Parimin e decentralizimit dhe të autonomisë vendore të sanksionuar në nenin 13 të Kushtetutës” thotë në shpjegimin e saj Gjykata Kushtetuese.
Për shkak të një cënimi të një të drejte kaq superiore , çdo gjë pas saj daç pronësia, daç shembja etj. janë efekt zinxhir ,shkak, pasojë.
Për këtë qëllim Gjykata Kushtetuese vendosi të pezullojë vendimet që ishin projektuar ti hapnin rrugë ndërtimit të teatrit të ri duke e detyruar qeverinë dhe Bashkinë të gjejnë një rrugë tjetër kushtetuese.
Përfundimisht kemi një teatër kombëtar të shkatërruar dhe një rrugë e mbetur përgjysmë për pasjen e një të riu.
Askush nuk fitoi… për sa kohë procesi krijoi kosto që duhet të ishin shmangur.
Do të varet nga aktorët e kësaj çështje sa do të zgjasë dhe si.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



