Nga Gazeta ‘Si’– Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për rastin e Thethit, ku 10 kabinat për të cilat thotë se ishin pa leje, tashmë janë hequr.
Rama njoftoi se Ministria e Drejtësisë po bën gati dokumentet që të kërkojë në KLP hetim për prokuroren por edhe për të gjithë Prokurorinë e Shkodrës.
“Çfarë imazhi është ky në sytë e atyre qindra turistëve që dje edhe sot në Theth shikojnë fadromat, që shkojnë atje për të pastruar plagën e hapur nga një individ totalisht i papërgjegjshëm, që ka kryer krim të shumëfishtë atje dhe që ende tani që flasim nuk dihet kush është sepse prokurorja Gjeli, e ka lënë të lirë duke mos vendosur mosfillimin e çështjes, dmth ka vendosur të mos bëjë asnjë hetim.
Ministria e Drejtësisë po bën gati dokumentacionin, dhe t’i kërkojë KLP që të qëndrojë mbi prokurorinë e Shkodrës, sepse realisht është shumë shqetësuese ajo që ka ndodhur në Theth. Strukturat e shtetit janë lënë në baltë nga një prokurore dhe Prokuroria e Shkodrës e merr në mbrojtje”, tha Rama.
Kjo çështje u kthye në një debat kombëtar dje(7 korrik) pas reagimit të kryeministrit Rama i cili e cilësoi skandaloz vendimin e prokurores së Shkodrës Elsa Gjeli për pushimin e çështjes lidhur me 10 objektet në oborrin e kishës së Thethit.
Por Prokuroria e Shkodrës reagoi duke thënë se deklaratat e kryeministrit Rama nuk qëndrojnë pasi vetë policia e Shkodrës dhe bashkia Shkodër nuk i kanë referuar këto objekte të ndërtuara pa leje si vepër penale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



