Bota

Prishet armëpushimi pas 4 muajsh, Tajlanda sulmon sërish Kamboxhian

Gazeta Si – Tajlanda kreu një seri sulmesh ajrore kundër Kamboxhias të hënën në mëngjes, pas javësh tensionesh përgjatë kufirit midis dy vendeve të Azisë Juglindore.

Ushtria tajlandeze thotë se shënjestroi infrastrukturën ushtarake kamboxhiane në përgjigje të një sulmi përgjatë kufirit që vrau një ushtar tajlandez dhe plagosi të paktën tetë të tjerë.

Megjithatë, Kamboxhia mohoi kryerjen e ndonjë sulmi. Ndërkohë, pjesa më e madhe e popullsisë tajlandeze dhe kamboxhiane përgjatë pjesës së prekur të kufirit është zhvendosur: katër kamboxhianë u vranë dhe nëntë u plagosën.

Sulmi filloi rreth orës 5 të mëngjesit të hënën (ora 23:00 e së dielës në Shqipëri), duke ndërprerë kështu një periudhë paqeje që kishte zgjatur që nga korriku, kur të dy vendet ranë dakord për një armëpushim pas ditësh përleshjesh dhe bombardimesh në të cilat u vranë të paktën 30 persona.

Një muaj më parë, Tajlanda kishte njoftuar tashmë pezullimin e marrëveshjeve të paqes, si ato të korrikut ashtu edhe ato të nënshkruara nën mbikëqyrjen e presidentit të SHBA-ve, Donald Trump në tetor.

Kufiri midis Tajlandës dhe Kamboxhias është 820 kilometra i gjatë dhe u vendos për herë të parë në vitin 1907 nga Franca, e cila e pushtoi Kamboxhian si fuqi koloniale deri në vitin 1953.

Në korrik, të dy vendet zhvilluan luftë për një zonë kufitare të diskutueshme, por mosmarrëveshjet territoriale janë pjesë e një rivaliteti më të gjerë që ka rrënjë historike dhe është nxitur nga nacionalizmi i përhapur në të dyja palët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë