Shendet

Prindërit po u japin fëmijëve melatonin për t’i ndihmuar të flenë. Mjekët ngrenë alarmin

Prindërit iu drejtuan suplementeve për të trajtuar stresin e fëmijëve dhe problemet e gjumit të shkaktuar nga pandemia. Por a është në rregull përdorimi afatgjatë?

Prindërit e stresuar gjithnjë e më shumë po u japin fëmijëve të tyre melatonin për t’i ndihmuar ata të flenë, duke ngritur shqetësime te disa pediatër për efektet afatgjata.

Mjekët raportojnë rritje të konsumit të melatoninës tek fëmijët në vitet e fundit, të nxitura pjesërisht nga prindërit që përpiqen t’i ndihmojnë fëmijët e tyre të përballojnë problemet e gjumit që patën gjatë pandemisë. Amerikanët në përgjithësi shpenzuan gati dy herë më shumë për produktet e melatoninës në 12 muajt e fundit, sesa shpenzuan në të njëjtën periudhë tre vjet më parë, sipas të dhënave nga firma e kërkimit të tregut NielsenIQ. Kompania nuk gjurmon konsumin e melatoninës në mënyrë specifike tek fëmijët.

Një arsye pse melatonina është e popullarizuar në mesin e të rriturve dhe fëmijëve është se ajo konsiderohet gjerësisht nga mjekët si një ndihmë e përkohshme për gjumin. Melatonina në suplementet dietike është më shpesh një formë sintetike e hormonit natyral që prodhon truri ynë për të na ndihmuar të biem në gjumë.

Por shqetësimet lindin me përdorimin afatgjatë. Judith Owens, pediatre në Spitalin e Fëmijëve në Boston, thotë se megjithëse melatonina nuk shkakton varësi, ajo është e shqetësuar se me kalimin e kohës, njerëzit mund ta kenë të vështirë të bien në gjumë pa të.

“Prindërit po më thonë se fëmijët e tyre po kërkojnë melatonin cdo natë”, thotë Owens.

Ajo thotë se pothuajse të gjithë pacientët që ka tani përdorin melatonin ose e kanë marrë atë më parë, krahasuar me vetëm 20% të pacientëve të saj pesë deri në 10 vjet më parë.

Pediatrit shpesh rekomandojnë melatonin për përdorim afatshkurtër së bashku me ndryshime të tjera të sjelljes, duke përfshirë kufizimin e kohës para ekranit dhe vendosjen e orareve të qëndrueshme të gjumit dhe zgjimit.

“Kur shoqërohet me ndërhyrje në sjellje, melatonina mund të jetë një opsion i mirë dhe i përkohshëm për disa fëmijë me probleme me gjumin”, thotë Owens.

Ekspertët e gjumit thonë se kanë më shumë pyetje sesa përgjigje për fëmijët dhe melatoninën, duke përfshirë nëse përdorimi afatgjatë mund të zvogëlojë efikasitetin ose mund të ndikojë në prodhimin natyral të trupit të melatoninës ose hormoneve të tjera ndërsa fëmijët hyjnë në pubertet.

“Është e vështirë edhe t’i përgjigjesh pyetjes kur një prind thotë: “Cili është rreziku?”, thotë Nicole Christian-Brathwaite, një psikiatre fëmijësh.

Shumë prindër kërkuan melatonin për të shmangur stresin e shkaktuar nga pandemia dhe shqetësimet e gjumit, ndonjëherë me sugjerimin e pediatrit të tyre, thonë mjekët dhe ekspertët e shëndetit mendor.

Përafërsisht 80% e pacientëve të Christian-Brathwaite, fëmijë dhe adoleshentë aktualisht po marrin ose kanë marrë më parë melatonin, që është një rritje nga një vit më parë.

“Shoh një dëshpërim”, thotë Christian-Brathwaite.

“Ka pafund biseda me prindërit që thonë: “Duhet që fëmija im të flejë, përndryshe nuk mund të vazhdoj me këtë gjendje”.

Burimi: Wall Street Journal. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë