Teater

“Princesha e Dyrrahut”, komedia që ndërthur të kaluarën me aktualitetin

Ngjarjet zhvillohen në Dyrrahun e shek. XII. Periudha historike në të cilën ambientohet ngjarja edhe pse mund të duket e largët për ne, përmban gjithë elementet e shoqërisë tonë moderne
fotografia e shfaqjes "Princeshat e Dyrrahut"

Nga Gazeta Si - Jemi në Dyrrahun e vitit 1122 me një histori të inspiruar nga personazhi i Ana Komnenas, princeshë e Bizantit dhe e bija e Perandorit Aleksi i I. Komnena është një grua ambicioze dhe inteligjente që provon të komplotojë edhe kundër të vëllait perandor, ka lënë dëshmi si historiane edhe për sa i përket Dyrrahut. Nga ana tjetër janë dy të rinj që hasin në vështirësi për të kurorëzuar dashurinë e tyre sepse i përkasin dy familjeve me status social të ndryshëm, dhe dy të rritur që përpiqen të thurin intriga dhe shantazhojnë njëri-tjetrin, ndërsa mendojnë për pushtetin.

Komedia e shkruar nga Vladimir Doda të shpie shumë pas në kohë, në shekullin e XII-të, tek personazhi i princeshës së Bizantit, Ana Komnenas, i interpretuar nga Mimoza Marjanaku, por këto fenomene vijnë në pjesën teatrale si aktuale.

Shkruar dhe me regji nga Vladimir Doda, pas premierës në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, “Princesha e Dyrrahut” për dy mbrëmje me radhë ishte edhe në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë.

“Princesha e Dyrrahut” sjell në formën e metateatrit (zhanër teatri) personazhe historikë, surrealë e deri te personazhe realë. Personazhet vijnë nën interpretimin e Marvin Tafaj, Mimoza Marjanaku, Alesia Xhemalaj, Jaho Guma, Suela Bako, Amos Zaharia, Deljana Topulli, Xhejni Fama, Greta Cani dhe vetë Vladimir Doda.

Autori dhe regjisori i veprës, Vladimir Doda i cili është edhe vetë me rol në shfaqje thotë për Gazetën “Si” se përmes këtyre ngjarjeve është dhe realiteti i sotëm për të cilin duhet të flasim.

“Është aktuale sepse çdo personazh është i lidhur ose direkt ose në mënyrë të tërthortë me fenomene aktuale. Dhe së dyti, raportet dhe dinamikat mes maskave dhe personazheve të ndryshme pasqyrojnë dinamikat shoqërore të kohës tonë”, shprehet regjisori për Gazetën “Si”.

Regjisori Doda thotë se ka pasur si qëllim të merret me fenomenet dhe pasojat që lënë pas ngjarje të caktuara.

“Natyrisht qëllimi im nuk ka qenë të merrem me personazhe bashkëkohore, por me fenomene dhe pasojat që lënë pas. Është diçka që s’e kam shpikur unë. Autorë si Shakespeare apo klasikët francezë e deri te Pasolini kanë bërë ambientime të tilla”, vijon regjisori.

Për një komedi, siç e quan ai “nacional popullore” binomi i temës si pikënisje ka qenë: Pushteti i dashurisë-Dashuria për pushtet.

“Natyrisht është një pjesë e thjeshtë dhe kod elementar për shtresa të ndryshme të publikut. Dy gjëra që jemi përpjekur me trupën të evitojmë janë: fenomenet mediatike dhe vulgaritetet”, përfundon regjisori për Gazetën “Si”.

Pas Durrësit dhe Tiranës, komedia “Princesha e Dyrrahut” do të vijojë në Teatrin Skampa në Elbasan.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë