Ne rrjet

Princa apo qiramarrës ‘të pavarur’? Hetimi parlamentar përfshin edhe William e Kate

Hetimi i Parlamentit Britanik mbi pronat e Kurorës që duhet të menaxhohen në dobi të taksapaguesve, po merr trajtat e një skandali. E gjitha filloi me ish-Princin e zakonshëm, Andrew

Gazeta Si – Princa mbretërorë apo qiramarrës “të pavarur”? Pak nga të dyja, në rastin e Windsor-ëve: aq sa Parlamenti Britanik ka vendosur ta shqyrtojë më nga afër “Rentville”-in e monarkisë.

Deputetët në Westminster kanë nisur një hetim për të kuptuar se sa dhe pse po paguajnë në të vërtetë anëtarët e familjes mbretërore që banojnë në pallate luksoze, që janë në fakt pronë shtetërore, edhe pse nominalisht i përkasin Mbretit si pjesë e Pasurisë së Kurorës.

Këto prona të Kurorës vlejnë ekuivalentin e 17 miliardë eurove dhe menaxhohen si pronë publike për përfitimin teorik të taksapaguesve.

Burimi i skandalit, pa dyshim, ishte edhe një herë ish-Princi Andrew i turpëruar (pas skandalit “Epstein”) dhe tani i zhveshur nga të gjitha titujt e tij dhe i reduktuar në rangun e një të njeriu të thjeshtë, si Andrew Mountbatten-Windsor.

Për më shumë se njëzet vjet, ai jetoi praktikisht pa qira në Royal Lodge, një rezidencë me 30 dhoma në Windsor Park.

Tani, ai është dëbuar, një ndëshkim i mëtejshëm për miqësinë e tij të pistë me grabitqarin seksual amerikan, Jeffrey Epstein dhe brenda pak muajsh ai do të duhet të transferohet në një banesë shumë më modeste në Sandringham, në pronën private të Mbretit Charles.

Por deputetët duan të kuptojnë se çfarë dëmesh ka pësuar thesari si rezultat i këtij rregullimi të çuditshëm.

Prandaj, lind nevoja për të hedhur dritë mbi qiramarrësit e tjerë mbretërorë, duke filluar me William dhe Kate, të cilët së fundmi u zhvendosën në Forest Lodge, një rezidencë e shekullit të 18-të në Windsor Park me tetë dhoma gjumi dhe gjashtë banjo.

Prona vlerësohet të ketë një vlerë prej rreth 18 milionë eurosh dhe, sipas agjentëve të pasurive të paluajtshme në Londër, mund të merret me qira për një shumë midis 35,000 dhe 115,000 eurosh në muaj.

Zyrtarisht, William dhe Kate paguajnë “qira tregu”, por nuk është e qartë se sa është. Shumë më e dyshimtë është pozicioni i Princit Edward, vëllait të vogël të Charles-t, i cili, së bashku me gruan e tij, Sophie, banon në Bagshot Park, një rezidencë luksoze me 120 dhoma.

Çifti pagoi rreth 6 milionë euro për të në vitin 2007, kur e morën në zotërim, por që atëherë kanë paguar vetëm qira nominale, edhe pse kjo rezidencë mund t’i sillte një pasuri.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Princeshën Alexandra, kushërirën e Elizabeth, e cila jeton në Thatched House Lodge në Richmond Park për shumën modeste prej 250 eurosh në muaj (kjo qira do të ishte më e përshtatshme për një student që jeton larg shtëpisë).

Hetimi parlamentar mund të thërrasë edhe familjen mbretërore për të dëshmuar, megjithëse ata nuk janë të detyruar ta bëjnë këtë dhe mund të dërgojnë zyrtarë të pallatit në vend të tyre.

Por e gjithë kjo çështje nxjerr në pah edhe një herë financat e dyshimta të familjes Windsor, të cilat tashmë janë bërë objekt i një libri hetimor sensacional, të botuar javën e kaluar, i cili dokumentoi se si monarkia britanike është më e shtrenjta në Evropë dhe e vetme i ngarkon taksapaguesit më shumë se të gjithë krerët e tjerë të kurorëzuar të kontinentit së bashku.

Ajo që duket se është zhdukur me vdekjen e Elizabeth-it, është respekti, që kufizohet me heshtjen, që rrethonte Kurorën. Shembulli më i fundit është dokumentari i sapotransmetuar nga BBC, “Për çfarë është Monarkia?”.

Një program investigativ që shqyrton pushtetin, paratë dhe skandalet e familjes mbretërore, duke ngritur pyetjen ekzistenciale të vetë kuptimit të institucionit shekullor.

Këto janë pyetje që tani po ngrihen hapur, jo më vetëm në qarqe të vogla republikane: dhe ndërmend shfaqet profecia e Dianës, se Charles do të ishte Mbreti i fundit që do të ulej në fronin britanik.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë