Për 7 mujorin primet e shkruara bruto u rritën me 18.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar duke tejkaluar edhe nivelet e vitit 2019.
Krahasuar me 7-mujorin e vitit normal 2019, rritja rezulton në masën 11.7%.
Për 7-mujorin 2021, kompanitë lidhën 601 mijë kontrata sigurimi, 14.7% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, por 17.2% më pak krahasuar me 7-mujorin 2019.

Hendeku me periudhën përpara pandemisë vjen kryesisht nga numri i kontratave të sigurimit të shëndetit dhe aksidenteve në udhëtim ndërsa si në segmentin e jetës, ashtu edhe në atë të jo-jetës tregu është në rritje.
Tregu i sigurimit të jetës po shfaq ritmet më të larta të rritjes.
Primet e shkruara bruto u zgjeruan me 36% krahasuar me 7-mujorin e vitit 2020. Tregu ka përfituar nga kthimi i rritjes së disa produkteve që kishin pësuar rënie të ndjeshme nga pandemia, por baza kryesore edhe këtë vit ngelet sigurimi i jetës së debitorit, që përbën 67% të primeve për këtë segment të tregut. Primet e shkruara bruto nga ky produkt janë rritur me 35% këtë vit.
Edhe në tregun e jo-jetës shumica e produkteve janë rritur krahasuar me një vit më parë.
Norma më e lartë e rritjes këtë vit po vërehet në produktet kryesore të sigurimit vullnetar. Në sigurimin nga zjarri dhe fatkeqësitë natyrore primet e shkruara bruto janë rritur me 48.5%.
Sigurimet e detyrueshme motorike për përgjegjësitë ndaj palëve të treta ngelen dominuese, por pesha e tyre ka rënë lehtë këtë vit në më pak se 63%, nga 65% që ishte vitin e kaluar.
Produktet me normën më të lartë të rritjes janë sigurimi kufitar me 94% dhe kartoni jeshil me 21%.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




