Bota

Primaret / Trump fiton garën republikane në Iowa: Nata ‘e madhe’ në nëntor

Gazeta Si – Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, ka shënuar fitoren e dytë me radhë në zgjedhjet brendapartiake në Iowa, pasi la shumë prapa rivalët e tij, një fitore që e çon më afër fitimit të nominimit të Partisë Republikane për zgjedhjet presidenciale të këtij nëntori.

Në votimet, ku pjesëmarrja ishte më e ulëta në çerek shekullin e fundit, pjesëmarrësit votuan në kushte të rënda atmosferike. Votimet brendapartiake u mbajtën në qindra shkolla, kisha dhe qendra të komunitetit në mbarë Iowa-n.

Trump fitoi 30 pikë, duke thyer rekordin e zgjedhjeve brendapartiake në Iowa, pasi më 1988 Bob Dole kishte shënuar një fitore prej 13 pikësh.

Para se të largohej nga skena, ai u tha votuesve se kjo “natë shumë e veçantë” është vetëm e para “sepse nata e madhe do të jetë në nëntor”.

Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis doli i dyti, e treta u rendit ish-ambasadorja e SHBA-së në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley.

Rezultatet në Iowa i japin shans të mirë Trumpit për të fituar nominimin e republikanëve, edhe pse do të duhen edhe disa muaj që njëri nga kandidatët zyrtarisht të bëhet i nominuar për president nga kjo parti.

Në muajt e fundit, ish-presidenti është zotuar për hakmarrje ndaj kundërshtarëve politikë, por Trump në fjalimin e tij përcolli mesazh të unitetit.

“Ne duam të bashkohemi, qoftë nëse jeni republikan, demokrat, liberal apo konservator. Ne do të bashkohemi. Kjo do të ndodhë së shpejti”, tha ai.

Tani gara brenda-partiake në mesin e republikanëve do të zhvendoset në Nju Hempshajër, ku do të zhvillohen votime më 23 janar.

Ndërkaq, në Karolinën e Jugut më 24 shkurt do të mbahen votimet, të cilat mund të jenë shumë të rëndësishme. DeSantis të martën zhvilloi fushatë atje.

Haley ndërkaq, pritet të mbajë fushatë në Nju Hempshajër, ku shpreson që të jetë e suksesshme për të fituar mbështetjen e votuesve të pavarur.

Fitorja në zgjedhjet paraprake të republikanëve në Iowa e bën Donald Trumpin “kandidatin e preferuar”, tha presidenti Joe Biden, duke komentuar rezultatet e republikanëve.

“Donald Trump është zyrtarisht kandidati republikan për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 dhe tani duhet të punojmë edhe më shumë”, thuhet në një email dërguar votuesve në orët e fundit.

Fushata e Biden paralajmëroi gjithashtu për “sulme të pista dhe gënjeshtra të pafundme” që do të vinin pas fitores të Trump.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë