Politike

Primaret në PD, shumë zhurmë për pak gjë. Albana Vokshi: Numri i votave nuk do të publikohet

Nga Gazeta ‘SI’ – E sotmja do të jetë një ditë e ngarkuar për demokratët.

Rreth 300 kandidatë janë regjistruar për të marrë pjesë në votimet e primareve, ku anëtarësia do të shprehet me votë se cilin prej tyre mbështet për t’u bërë pjesë e listave për deputetë të Partisë Demokratike. Por askush nuk mund të thotë sa prej kandidatëve që kalojnë pengesën e primareve, do të jenë në listën e sigurtë të deputetëve. Dhe sa më i vogël qarku, aq më e vogël mundësia. Sa më i madh numri i kandidatëve, aq më të pakta shanset.

Vendimi final merret nga kryesia e partisë, e cila kalon për miratim listën përfundimtare në Këshillin Kombëtar përpara se ta dorëzojë atë në KQZ në 12 mars. Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha i çmon primaret si një proces i votës së lirë dhe shprehje e demokracisë së brendshme në parti, por panorama nuk është kaq rozë. 300 demokratët e primareve po futën në një proces të pabarabartë në raport me lidershipin e partisë. Të paktën 26 vende të sigurta deputetësh janë të zëna pa nisur ende gara. 19 prej tyre janë të zënë prej lidershipit të PD-së dhe 14 drejtuesve politikë në qarqe, ndërsa, 6-7 vende të tjera janë rezervuar për aleatët. 

Formula e primareve

Kryetarja e Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale (KOKOE) Albana Vokshi, komfirmoi për Gazetasi.al se do të quhet kandidat fitues i primareve kushdo që kalon një prag të caktuar votash.

“Do të vendoset një prag, që kandidatët duhet ta kapërcejnë, në mënyrë që emri të shkojë në kryesi dhe të diskutohet për të qenë në listën e kandidatëve për deputetë. “- tha zonja Vokshi, por pa saktësuar sa është ky prag. Derisa të përfundojë votimi, askush nuk e di këtë, pasi formula e përzgjedhur për llogaritjen e votave nuk varet nga numri i anëtarësisë demokrate në qark.

“Formula varet nga numri i pjesëmarrësve  për qark, i cili do të pjesëtohet me numrin e kandidatëve në të njëjtin qark. Sa më i lartë numri i pjesëmarrësve, aq më i lartë pragu. Formula quhet imperial dhe është një formulë ndërkombëtare që ne e përzgjodhëm dhe e përshtatëm për  kushtet tona, në mënyrë që të mos sajonim vetë një formulë. Ishim tre porpozime për formula dhe KOKOE përzgjodhi këtë për t’u dhënë mundësi më të mëdha kandidatëve për të kaluar pragun. Në thelb,  përllogaritja e pragut varet nga numri i pjesëmarrësve në votime. Pragu del në momentin që mbyllen kutitë e votimit. KOKOE informohet për pjesëmarrjen, aplikohet formula,nxirret pragu për secilin qark dhe u bëhet i ditur kandidatëve.”- shpjegoi zonja Vokshi për Gazeta Si.

Psh, nëse në qarkun e Tiranës marrin pjesë 15 mijë votues, pragu do të jetë rreth 180 vota, pasi ai pjesëtohet me numrin e kandidatëve në qark. Në pamje të parë nuk duket vështirë për t’u kapur, por duke qenë se anëtarët kanë të drejtë të votojnë vetëm për 1 kandidat, objektivi është sfidues. “Formula garanton që të gjithë kandidatëve, të cilët kanë një mbështetje të caktuar në anëtarësi, t’u jepet mundësia që emri i tyre të shqyrtohet në kryesi për të qenë ose jo në listën finale të kandidatëve për deputetë. Poshtë këtij pragu, do të thotë që individi nuk ka mbështetje në anëtarësi dhe në këto rrethana është e pamundur që ai të ketë mbështetje tek qytetarët.”- u shpreh zonja Vokshi për Gazeta Si. 

Listat e bashkimit

Albana Vokshi ka pritshmëri të larta për pjesëmarrjen sot në votimet e primareve. Pas bashkimit të partisë, për të qenë sa më gjithëpërfshirës dhe për të hequr çdo dyshim të përdorimit të lostave të caktuara për të favorizuar ndonjë grupim, demokratët kanë vendosur të rikthehen në pikën, kur të të gjithë ishin të lumtur së bashku! Primaret 2025 po zhvillohen me listat e vitit 2019, ku anëtarësia në PD e kalon numrin 100 mijë. Me gjasë, edhe Lulzim Basha duhet ta ketë emrin në listat e primareve.

“Pritshmëria jonë është që numri i pjesëmarrësve në primare të jetë më i madh se në çdo proces votimi, përfshirë edhe atë për zgjedhjen e Sali Berishës kryetar. Logjika është e thjeshtë. Përshembull, Tirana ka 82 kandidatë dhe të gjithë kandidatët do të angazhojnë çdo mbështetës që kanë brenda anëtarësisë për të marrë pjesë në votime.“- tha zonja Vokshi, duke vënë në dukje se vendimi është marrë për të reflektuar procesin e bashkimit në PD. 

Sekreti i votave 

Megjithëse procesi i primareve është konceptuar për të qenë sa më transparent për të mos u dhënë shkas pakënaqësive eventuale pas votimit, ka diçka që nuk do të bëhet publike. Numri i votave të marra nga secili kandidat do të jetë një informacion i rezervuar vetëm për Komisionin Zgjedhor në PD. “Do të publikohen vetëm emrat e kandidatëve që kanë kaluar pragun, por jo numri i votave të tyre” pohoi Albana Vokshi për Gazeta Si, duke shpjeguar edhe arsyen e këtij vendimi të pazakontë.

“Është bërë kjo zgjedhje, sepse vota në primare nuk është kriteri i vetëm për t’u përfshirë në listën e kandidatëve për deputetë. Shpallja e numrit të votave do të krijonte ngërç, sepse siç thashë,, votimi në primare është njëri prej kritereve. Vërtetë që zë peshën më të madhe, por janë dhe kritere të tjera. Prandaj numri i votave nuk do të publikohet dhe anëtarët e kryesisë nuk do ta kenë këtë si informacion. Ata do të kenë vetëm listën e kandidatëve që kanë kaluar pragun, por jo numrin e votave për secilin, pasi, kur emrat të diskutohen në kryesi, do të merren parasysh edhe faktorë të tjerë, si psh funksionet, aktiviteti politik, qendrimet opozitare, kontributi i dhënë për numrin e rregjistrimeve në diasporë etj. Këto vlejnë qoftë për ata të listës së mbyllur, qoftë për ata të listës së hapur.”- u shpreh Albana Vokshi për Gazeta Si.

Ky vendim konfirmon uljen e peshës së primareve në vendimarrjen finale të listës së kandidatëve për deputetëve, sepse kryesia nuk do të gjykojë në bazë të numrit të votave, por në bazë të kalimit të pragut. Kjo do të thotë se nuk është çudi që jashtë listës së sigurtë të mbetet dikush që ka marrë më shumë vota në primare sesa dikush tjetër, që i përshtatet më mirë profilit të deputetit, të mbështetur nga lidershipi.

Zonja Vokshi, e cila rezervohet ta pranojë këtë arsyetim, shikon anën pozitive të vendimit për të mos publikuar numrin e votave nga primaret. “Kjo bën që kryesia të mos ndikohet nga numri i votave të kandidatëve që kanë kaluar pragun, por i gjykon kandidatët në tërësinë e kritereve, duke i trajtuar të gjithë njësoj.”- tha zonja Vokshi. Vetë kandidatët do ta kuptojnë më herët sesa shpallja zyrtarë e listës, nëse e kanë kaluar apo pragun, pasi ata do të kenë akses të plotë në numërim. Atje ku nuk kanë akses dhe nuk e dinë se çfarë do të vendoset për ta është në mbledhjen e kryesisë, e cila, si gjithmonë, do të vendosë sipas vullnetit të Kryetarit, pavarësisht emrit të tij! 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë