Nga Gazeta ‘Si’- Bujar Leskaj është i pari që ka dalë kundër propozimit që kreu i PD Sali Berisha ka bërë për kryetarët e degëve, të cilët nëse duan që të garojnë në Primare, do duhet që të japin dorëheqjen nga drejtimi i degëve.
Kryetari i Degës së Partisë Demokratike në qytetin e Vlorës, njëherësh edhe deputet, në një shënim të gjatë në rrjetet sociale thekson se kryetarët dhe sekretarët e degëve, janë individë, të cilët janë institucionet e vetme brenda Partisë Demokratike të dalë nga vota e demokratëve me parimin “një anëtar, një votë”.
Ai shton se drejtuesit politikë duhet të jenë ata që t’i nënshtrohen primareve ose në të kundërt të jenë në listën e hapur.
“Në këndvështrim tim Kryetarët e Degëve të Partisë Demokratike nuk kanë pse të dorëhiqen nga pozicioni, të cilën e kanë fituar e mbajtur me votën e anëtarësisë së Partisë Demokratike, si votëbesim e proces i mirëfilltë primaresh”, shkruan Leskaj.
Leskaj shton se çdo ndryshim i këtij parimi do të përbënte një shkelje të frymës demokratike që Partia Demokratike përfaqëson.
Sipas Leskajt “roli i Kryetarëve të Degëve ka qenë jetik në të gjitha zhvillimet që ka pasur Partia Demokratike këto vite, veçanërisht në vitet e Rithemelimit, për mbajtjen konstante të frymës së saj në bazë, duke mbajtur lidhjet jo vetëm me anëtarësinë e bazën e Partisë Demokratike, por mbarëvajtur të gjitha format e organizimit të aktivitetit politik të saj”.
“Kryesia e Partisë Demokratike nuk duhet të harrojë se Kryetarët e Degëve ishin nga të parët që u afruan në procesin e rithemelimit dhe qëndruan konseguent gjatë këtyre viteve”, theson Leskaj.
Për deputetin demokrat “primaret, së pari duhet të fillojnë nga votëbesimi ndaj Drejtuesve Politikë në Qarqe ose në të kundërt çdo Drejtues Politik, po nuk ju nënshtruan Primareve, të vendosen në listën e hapur”.
“Lista përfundimtare natyrisht duhet/do të vendoset nga Kryetari i Partisë Demokratike dhe çdo kandidat duhet të pranojë paraprakisht një kod etiko-politik në respektimin pa kushte shtesë të çdo pozicioni të dalë nga ky vendim”, shkruan Leskaj.
Kryetarja e PD në Sarandë jep dorëheqjen për të kandiduar në Primare
Ndërkohë, Kryetarja e degës së Partisë Demokratike në Sarandë, Manjola Nikollo, ka bërë të ditur sot vendimin e saj për të dhënë dorëheqjen nga drejtimi i degës, në përputhje me udhëzimet e kryesisë së PD-së.
Vendimi i saj vjen si rezultat i angazhimit për të kandiduar në Primare për listën e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 11 majit 2025.
Në një reagim për anëtarët dhe simpatizantët e PD-së, Manjola Nikollo theksoi se dorëheqja e saj nuk është tërheqje, por një hap për të përfaqësuar Sarandën në nivelet qendrore të politikës.
Ajo ishte rizgjedhur për një mandat të dytë si drejtuese vetëm 8 muaj më parë.
“Ju kërkoj me përulje, që në garën e Primareve të gjykojmë ftohtë e me maturi, të veprojmë si demokratë e të sillemi me qytetari. Nuk është garë emrash, por është garë dinjiteti. Është gara e të gjithë ne, që t’i ofrojmë çdo votuesi mundësinë për të zgjedhur qytetarin e mirë, intelektualin, politikan e drejtë, por mbi të gjitha përfaqësuesin e tyre të devotshëm. Jam e bindur se përfaqësoj këto cilësi, e mbi këtë bazë do të kërkoj edhe mbështetjen tuaj”, tha ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.